Live

VV-ja ende i mbanë “sekret” kandidatët për deputetë

09:29 / 25 Nëntor 2024

Nga Kosova Live

Tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, kanë filluar t’i propozojnë disa nga kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, mirëpo një gjë të tillë ende nuk e ka bërë subjekti më i madh politik në vend, Lëvizja “Vetëvendosje”.

Zyrtarë nga kjo e fundit thonë për “FrontOnline” se një gjë të tillë do ta bëjnë në momentin e duhur, por pa i bërë të ditur se kush mund të jenë disa nga kandidatët për deputetë, e as kush mund të jenë prurjet e reja në këtë subjekt politik, siç kishin vepruar sa ishin në opozitë.

Madje, ata nuk e kanë qartësuar nëse në listë për deputetë të VV-së do të jetë edhe të gjithë zyrtarët që janë duke u hetuar nga Prokuroria në lidhje me dyshimet për afera të ndryshme korruptive.

Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Salih Zyba, deklaroi se brenda afateve ligjore do të publikohet lista e deputetëve për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Deputeti Zyba thotë se në këtë listë do të ketë edhe figura të reja, por pa zbuluar më shumë detaje në këtë drejtim.

I pyetur se a do të jenë pjesë e listës zgjedhore edhe ministrat që janë intervistuar nga Prokuroria, Zyba këtë institucion e cilësoi si të kapur.

“Brenda afateve ligjore dhe zgjedhore do të bëjmë të ditur listën. Padyshim që do të ketë emra të rinj dhe prurje më shumë. Prokuroria është e kapur dhe tendencat që i ka prokuroria munden edhe mu e ty me na intervistu për me marr ndonjë të drejtë”, u shpreh Zyba.

E Halil Thaçi, deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, vlerëson se ende është herët për publikimin e listës zgjedhore të deputetëve.

Thaçi vlerëson se ndryshe nga opozita, VV’ja ka punë për të bërë, e jo, siç thotë ai, propagandë e gënjeshtra.

Sipas tij, lista e deputetëve do të publikohet sipas afateve.

“Ende është herët, jemi mazhorancë dhe kemi punë të tjera përveç fushatës e linçimeve që po i bëjnë opozita. Duhet me u marrë me punët e shtetit. VV do ta publikojë listën me rregull, por jemi duke punuar ende. Opozita po merret me gënjeshtra e propagandë ndryshe nga ne”, shprehet Thaçi.

Intervistimet e disa zyrtarëve të pushtetit nga Prokuroria, Thaçi i quan sinkronizim mes opozitës dhe këtij institucioni.

Tutje, deputeti i VV’së thotë se intervistimet në kohë fushate të Prokurorisë janë vegla të opozitës.

“Këto intervistime janë në kuadër të fushatës të opozitës. Është sinkronizim i madh në mes të Prokurorisë dhe opozitës. Nëse do ishte Prokuroria e drejtë në fushatë s’ishin merr me këtë çështje. Nuk duhet të jetë penalizim për deputet e ministër intervistimi në këtë kohë nga Prokuroria për listën e deputetëve”, tha Thaci.

Kurse Valon Ramadani deputeti i partisë në pushtet, shprehet se para listës zgjedhore të deputetëve, mazhoranca ka punë të tjera më të mëdha.

“Kemi ende punë të kryejmë por VV është shumë gati. Kemi ende punë të tjera para listës zgjedhore në Komisione e Kuvend, tani i vjen rendi atyre”, theksoi Ramadani

Ramadani për “Front Online” theksoi se anipse disa zyrtarë janë intervistuar nga Prokuroria ata do të jenë pjesë e listës zgjedhore.

Deputeti Ramadani thotë se çdo intervistim në  këtë periudhë është i porositur nga ish-regjimi.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...