Pak para përfundimit të mandatit të qeverisë Kurti, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mbajnë debat parlamentar më 2 dhjetor. Aty do të diskutojnë për punën katër vjeçare të ekzekutivit.
Kjo seancë, nga opozitarët u kualifikua si e domosdoshme për shpërfaqjen siç thanë “të dështimit të kryeministrit Albin Kurti dhe vartësve të tij”.
Ndërkaq, nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, theksuan se në këtë seancë do të paraqiten “sukseset e ekzekutivit” tashmë gati në një mandat të plotë.
Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi tha se seanca e 2 dhjetorit është më e rëndësishmja në përmbyllje të legjislaturës së tetë të Kuvendit.
Sipas tij, aty do të diskutohen të gjitha veprimet “dëmtuese që qeveria Kurti i ka bërë gjatë mandatit të saj katërvjeçar”.
“Ajo çka është më e rëndësishme është seanca e ditës së hënë [më 2 dhjetor], ku do të diskutohet qeverisja katërvjeçare e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Në këtë seancë do të diskutohen të gjitha veprimet dhe mosveprimet katërvjeçare dhe të gjitha masat dhe veprimet dëmtuese që qeveria Kurti i ka bërë në këto katër vite. Ne si Grup parlamentar i dhamë përkrahje kërkesës së AAK-së që të mbahet kjo seancë dhe jemi të gatshëm për debat me kryeministrin dhe përfaqësuesit e tij, në një seancë e cila do të jetë më e rëndësishmja përmbyllëse të kësaj legjislature”, tha ai.
Mbajtja e kësaj seance është me kërkesë të AAK-së, e cila ka qenë e deponuar në Kuvend qysh nga marsi i këtij viti kur qeveria Kurti i ka bërë tri vjet në pushtet, mirëpo e njëjta është shtyrë me kërkesë të vet kësaj partie.