Dëshmitari Halil Çadraku ka thënë në Hagë se që 25 vite mendon se Hashim Thaçi është gjigant për shkak të drejtimit politik që i ka dhënë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ai këtë e tha pasi iu prezantua një video teksa dëgjohej në një intervistë televizive duke thënë se “Zoti lart, ndërsa Thaçi është poshtë”, e që Kosova nuk do të ishte ajo që është sot pa tani të akuzuarin, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Kosova jonë, shteti jonë me mileniume jemi të okuptuar. Që tre mijë vjet dhe gjithmonë ka pas luftëtarë. Kurrë Kosova s’ka pas mangu luftëtarë për me luftu për me atdhe. Lufta e fundit mendoj që ka qenë shumë mirë e orientuar falë drejtimit politik që ka ditë ta udhëheqë kjo strukturë politike në krye me Thaçin dhe shokët që kanë qenë jashtë si Xhavit Halitin, Bardhyl Mahmutin, etj”, tha Çadraku.
“Mendoj që Thaçi i ka meritat më të mëdhaja. Unë e falënderoj në emër timin, familjes time dhe popullit për atë punë që ka bërë sepse ishte një punë gjigante”, shtoi tutje Çadraku.
Ndërsa, në një intervistë në një emision televiziv, Çadraku ka thënë se shef i tij ishte Kadri Veseli deri më 1 prill 1999.
Madje, në një fotografi ku shihej Kadri Veseli, një person me nofkën “Hoxha”, Mensur Zyberi, Adem Grabovci dhe vetë dëshmitari, ky i fundit kishte thënë se është bërë në Nishor në mars të ’99-ës, ku edhe ishin zhvilluar biseda që përfshinin nënshkrimin ose mos-nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë.
I pyetur nga prokurori James Pace nëse ky informacion është i saktë, dëshmitari u përgjigj me “po”.
Përpara kësaj, Ismet Tarën, dëshmitari tha se e njeh dhe se i njëjti ka qenë anëtar i UÇK-së. Tha se asnjëherë nuk e ka vizituar shkollën e Shurdhmemecëve në Prizren gjatë vitit 1998-’99.
Sipas tij, aty ka qenë e stacionuar Brigada 125, e udhëhequr nga Nehat Basha. Kurse, për Kimete Krasniqin, dëshmitari tha se e njeh nga paslufta dhe përafërsisht ka mundur ta takojë nga fillimi apo mesi i korrikut kur ka shkuar në Prizren.
“Kimete Krasniqi kishte ardhur tek ne me disa eprorë dhe ushtarakë të Zonës Operative të Drenicës. Ndoshta me sugjerim timin, por jo për atë personalisht por kisha nevojë për dikë nga Drenica që të zbulonte një rast të kriminalitetit që kishte ndodhur në Drenicë, por që ishin fshehur në rrethinat e Prizrenit. Tani mendoj se kjo mos ka qenë si rezultat i këtyre përpjekjeve tona në kontakt me shokët-luftëtarët e Drenicës, mendoj se e kanë sjellë atë si më të përshtatshme për atë punë për çka na duhej neve atje”, tha Çadraku.
Dëshmitari theksoi se nuk i kujtohet se kush e ka sjellë, por e di që dikush nga Shtabi i Drenicës. Tha se ka pasur mundësi që të mos e kujtojë as Kimete Krasniqin, në rast që nuk do të flitej kaq shumë për atë.
Si rrjedhojë, me kërkesë të prokurorit Pace, seanca kaloi në private me arsyetimin për mbrojtjen e palëve të treta.
Në këtë seancë, dëshmitari u pyet se a e dinte se çfarë mosmarrëveshje kanë pasur Ferat Shala dhe Kimete Krasniqi.
“Unë nuk e di mosmarrëveshjen e tyre, as nuk mund të hyj në ato se ato kanë qenë më shumë privatësia e tyre”, tha Çadraku.
Sërish, pastaj seanca kaloi në private me kërkesën e prokurorit.
Në seancën e së hënës, Prokuroria ka kaluar kohën e parashikuar prej katër orëve për pyetje dhe kërkoi nga trupi gjykues që t’i mundësohet edhe një orë tjetër në seancën e nesërme. Kjo gjë u aprovua nga trupi gjykues dhe me kaq përfundoi seanca e sotme, ku u dëgjua dëshmia e Halil Cadrakut, i cili përfaqësohej nga avokati Arianit Koci.