Live

Kina dislokon forca ajrore e detare, pasi SHBA-ja dërgoi një avion mbi Tajvan

09:49 / 26 Nëntor 2024

Nga Kosova Live

Ushtria kineze tha më 26 nëntor se ka dislokuar forca ajrore dhe detare për të monitoruar situatën, duke paralajmëruar një avion patrullues të Marinës amerikane që fluturoi përmes Ngushticës së Tajvanit. Pekini tha se Shtetet e Bashkuara po tentojnë të “mashtrojnë” komunitetin ndërkombëtar.

Rreth një herë në muaj, anijet e ushtrisë amerikane apo avionët kalojnë përmes apo mbi ujërat që e ndajnë ishullin demokratik dhe vetëqeverisës të Tajvanit nga Kina. Këto misione gjithmonë zemërojnë Pekinin.

Kina pretendon se Tajvani është pjesë e saj dhe thotë se ka juridiksion mbi Ngushticën e Tajvanit. Tajvani dhe SHBA-ja e kundërshtojnë këtë pretendim, duke thënë se Ngushtica është në ujërat ndërkombëtare.

Marina amerikane tha se një avion patrullues detar fluturoi përmes Ngushticës “në hapësirën ndërkombëtare ajrore”, duke shtuar se fluturimi demonstroi përkushtimin e SHBA-së për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur.

“Duke operuar brenda Ngushticës së Tajvanit, në përputhje me ligjin ndërkombëtar, SHBA-ja mbron të drejtat dhe liritë e lundrimit të të gjitha shteteve”, u tha në njoftim.

Ushtria kineze kritikoi këtë fluturim, duke e cilësuar si “bujë mediatike” dhe duke shtuar se e ka monitoruar avionin amerikan gjatë fluturimit dhe është përgjigjur “në mënyrë efektive” ndaj situatës.

“Ne i bëjmë thirrje SHBA-së që të ndalë bujën mediatike dhe bashkërisht të ruajmë paqen dhe sigurinë rajonale”, tha ushtria kineze.

Në prill, ushtria e Kinës dërgoi avionë luftarakë për të monitoruar dhe paralajmëroi marinën amerikane në Ngushticën e Tajvanit, pasi Uashingtoni kreu një mision në këtë zonë./REL

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...