Për të tretën herë radhazi, është mbajtur sot Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor, sivjet nën titullin frymëzues “Forcë në Diversitet, ku pjesëmarrës në këtë ngjarje ishte edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Fillimisht, kryeministri Kurti falënderoi të gjithë për punën e tyre në muajt ndërmjet samiteve, për arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta: një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe pa diskriminim racor.
‘’Gjatë muajve që kanë kaluar që nga samiti i fundit, kemi promovuar edhe më shumë platformën për raportimin e diskriminimit, dhe rastet e raportuara aty janë adresuar nga ekipi përkatës. Qeveria jonë gjithashtu po e harton një ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi, në përputhje me standardet për të drejtat e njeriut të Këshillit të Evropës, duke trajtuar diskriminimin racor dhe antigjipsizmin’’, u shpreh kryeministri, duke shtuar se ky është një proces gjithëpërfshirës, së bashku me shoqërinë civile, nën koordinimin e Zyrës për Qeverisje të Mirë.
Kryeministri Kurti i ka përmendur rekomandimet e dala nga samitet e kaluara dhe nismat e ndërmarra nga Qeveria për t’i zbatuar ato e për të lehtësuar jetën dhe qasjen e komuniteteve në punësim, shërbime sociale e të tjera.
‘’Siç mund ta shihni, “Forca” jonë është edhe në të përqafuarit e “Diversitetit”, për një shoqëri të hapur e gjithëpërfshirëse, që nuk e lë askënd mbrapa sepse para së gjithash e mbi të gjitha e kemi përqafuar diversitetin. Aty ku jo vetëm me fjalë dhe me samite, por edhe me punë e me promovimin e pikërisht forcës së diversitetit, përkushtohemi çdo ditë që të jemi sa më pranë njëri-tjetrit, për secilën e për secilin, të gjithë bashkë’’, shtoi ai.
Në përfundim, kryeministri Kurti tha se edhe samiti e diskutimet e sotme do të nxjerrin rekomandime të tjera të vlefshme, të cilat siç e kemi dëshmuar edhe më herët, do t’i konsiderojmë e trajtojmë me kujdes të veçantë e seriozitet të plotë.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
I nderuari z. Jürg Sprecher, Ambasador i Zvicrës në Kosovë,
I nderuari z. Erxhan Galushi, deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës,
I nderuari z. Habit Hajredini, Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë,
I nderuari z. Pajtim Zeqiri, Shef i Zyrës ‘Terre des hommes’ në Kosovë,
I nderuar zëvendësministër Elshani,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë; nga Gjermania, zëvendës ambasadori, Matthias Conrad dhe nga Mali i Zi, zëvendës ambasadorja, Fedisa Daçiq,
Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile, mysafirë nga shtetet e tjera,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Kjo është hera e tretë që mblidhemi bashkë për Samitin e Ballkanit Perëndimor kundër racizmit, sivjet nën titullin frymëzues “Forcë në Diversitet”. Ju falënderoj të gjithëve që çdo herë jeni këtu prezent e që vazhdoni të punoni në muajt ndërmjet samiteve, për arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta: një shoqëri gjithëpërfshirëse pa diskriminim racor.
Mbaj mend rekomandimet nga samiti i kaluar, për shembull për forcimin e lidhjeve midis ministrive dhe përfaqësuesve të komuniteteve, bashkë me promovimin e transparencës dhe përmirësimin e qasjes në mekanizmat e raportimit. Gjatë muajve që kanë kaluar që nga samiti i fundit, kemi promovuar edhe më shumë platformën për raportimin e diskriminimit dhe rastet e raportuara aty janë adresuar nga ekipi përkatës. Qeveria jonë gjithashtu po harton një ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi, në përputhje me standardet për të drejtat e njeriut nga Këshilli i Evropës, duke e trajtuar diskriminimin racor dhe antigjipsizmin. Ky është një proces gjithëpërfshirës, së bashku me shoqërinë civile, nën koordinimin e Zyrës për Qeverisje të Mirë.
Për më shumë, kemi punuar për një mundësi të re në platformën raportodiskriminimin.org, atë për raportimin e martesave të hershme. Përmes saj, rastet e para të martesave që rrezikojnë shëndetin, arsimin dhe të drejtat e vajzave të mitura, janë raportuar dhe janë trajtuar nga policia.
Duke kuptuar edhe nevojën që sa më shumë informata të ministrive të jenë lehtësisht të qasshme për anëtarët e komuniteteve, gjatë verës e kemi lansuar platformën e Zyrës për Çështje të Komuniteteve brenda Zyrës së Kryeministrit. Me mbështetjen e partnerëve tanë nga ambasada e Zvicrës dhe ajo e Mbretërisë së Bashkuar, e përmes IOM-it, platforma ofron informata për grante, subvencione, bursa, trajnime dhe vende të punës. Të gjitha këto në gjuhët shqipe, serbe dhe rome, por edhe ato boshnjake e turke
Një tjetër rekomandim nga Samiti i vitit të kaluar, ka qenë për shërbimet e bazuara në komunitet. Këtë e kemi zhvilluar gjatë vitit të fundit, me një rritje prej 25% në grante për qendrat mësimore nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, dhe alokimit të një çerek milion eurove për punën arsimore të këtyre qendrave. Puna e tyre tani po zgjerohet edhe më shumë përmes ofrimit të shërbimeve sociale, si për shembull me asistim të qytetarëve në qasjen e shtesave për fëmijët dhe ato të lehonisë, që ofrohen nga qeveria ose në subvencionet për faturat e energjisë elektrike.
Qendrat i kanë ndihmuar familjet të aplikojnë për pjesëmarrje në pilotimin e skemës së re sociale që e kemi lansuar, pasi 17% e individëve përfitues në skemë janë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian dhe këto komunitete do të përfitojnë në mënyrë disproporcionale pozitive nga nisma “Qeveria për Familjet”. Kjo nismë siguron vende të punës dhe mbështetje të qëndrueshme për familjet e dala nga varfëria. Këto qendra po kthehen në pika shërbimi për komunitetet me më së shumti nevojë për mbështetje e asistim. Andaj, përgëzime për të gjithë ju që punoni në vazhdimësi dhe angazhoheni pa u ndalur për të siguruar mbarëvajtjen e punës së këtyre qendrave.
Sa i përket një rekomandimi tjetër nga samiti i mëparshëm, për fuqizimin ekonomik dhe punësimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, e falënderoj Ekipin Ndërinstitucional për Promovimin e Punësimit të këtyre komuniteteve. Baza ligjore ekziston e tash ajo veçse po zbatohet për shpalljen e vendeve të punës në institucione publike ku janë të nënpërfaqësuar komunitetet joshumicë. Tani janë shpallur vendet e punës për komunitetet në Ministrinë e Mbrojtjes, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Ministrinë për Zhvillimin Rajonal si dhe në Zyrën e Kryeministrit, dhe është pozitive që disa prej vendeve janë plotësuar nga anëtarët e komuniteteve rom, ashkali ose egjiptian. Shpresoj që do të vijnë edhe më shumë kuadro të reja në institucionet tona, ku kemi nevojë për siç e thotë ky Samit “Forcë në Diversitet”!
Gjithashtu, si arritje në punësim, kemi parë ndikimin që ka patur “Dita e Hapur” e organizuar në Akademinë e Sigurisë Publike në Vushtrri në nëntor të vitit 2023. Unë isha aty me mbi 100 të rinj përplot shpresë dhe zell dhe gjithashtu gatishmëri e vullnet për punë, ku mësuan mundësitë për zhvillimin e karrierës në fushën e sigurisë publike. Dhe, në gjeneratën e 59-të në Policinë e Kosovës në prill të këtij viti, u betuan për shërbim 17 persona prej komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Nëntë prej tyre kanë qenë pjesëmarrës në atë “Ditë të Hapur” në nëntorin e vitit të kaluar, nga ku edhe ishin frymëzuar që të aplikojnë në Policinë e Kosovës.
Mbështetja jonë financiare për studentë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në shkolla të mesme – me 500 bursa në vit – si dhe për studentë të universiteteve ku vetëm në vitin akademik 2023-2024 kemi ndarë 55 bursa, kontribuojnë në këto suksese të arritura bashkë. Sepse të gjithë e dimë që arsimi është shtyllë e trefishtë: është shtyllë e dijes, është shtyllë e emancipimit dhe është shtyllë e shpresës, sepse është shtyllë e krijimit të një të ardhmeje sa më prosperuese. Fëmijët e studentët tanë nga këto komunitete tash e kanë një shtet që përkujdeset edhe për ta, e kanë një shtet që po ndërton një bazë të mirë për karrierat e tyre profesionale, qofshin ato në sektorin publik apo në atë privat.
Të nderuar të pranishëm,
Siç mund ta shihni, “Forca” jonë është edhe në të përqafuarit e “Diversitetit”, për një shoqëri të hapur e gjithëpërfshirëse, që nuk e lë askënd mbrapa sepse para së gjithash e mbi të gjitha e kemi përqafuar diversitetin. Aty ku jo vetëm me fjalë dhe me samite, por edhe me punë e me promovimin e pikërisht forcës së diversitetit, përkushtohemi çdo ditë që të jemi sa më pranë njëri-tjetrit, për secilën e për secilin, të gjithë bashkë.
Jam i bindur që edhe samiti e diskutimet e sotme do të nxjerrin rekomandime të tjera të vlefshme, të cilat siç e kemi dëshmuar edhe më herët, do t’i konsiderojmë e trajtojmë me kujdes të veçantë e seriozitet të plotë.
Ju uroj shkëmbim sa më të frytshëm të ideve dhe të bisedave, sa më shumë motivim prej njëri-tjetrit, dhe krijim të energjisë shtesë për punë të mbarë deri në samitin e radhës.