Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami i ka uruar shqiptarët për përvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Në një postim në Facebook, ajo ironizoi me kryeministrin Albin Kurti, i cili sa ishte në opozitë fliste për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, duke publikuar një deklaratë të tij dikur.
“Ndërkombëtarët, për shembull, munden me të pyet: mirë – thotë – bashkimi kombëtar, si e mendoni bashkimin kombëtar? Unë them: Lëvizja Vetëvendosje e merr pushtetin, e ndryshojmë Kushtetutën, e heqim nenin 1.3. Në mënyrë paqësore dhe demokratike i bashkohemi Shqipërisë si hapi i parë drejt bashkimit kombëtar shqiptar”, thotë aty kryetari i LVV-së.
Bajrami tha “mos të nxitohemi, ende ka kohë për bashkim kombëtar, deri me 9 shkurt”.
“Të dashur qytetarë, URIME FESTA E 28 NËNTORIT Sot gjatë ditës pritet që Qeveria të mbajë një mbledhje elektronike (imagjinare), ku do caktohet grupi punues për caktimin e ekspertëve që do ta hartojnë koncept dokumentin, për projektin e idesë së bashkimit kombëtar.. GËZUAR 🥂🇦🇱🇽🇰“, shkroi ajo.