Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shpalosur në Prishtinë programin për kulturë e sport.
Ai tha se qeveria e udhëhequr nga LDK do të bëjë investimin më të madh në historinë e Kosovës në sport.
“Kemi qëllim të ndërtojmë Qendrën e Re Sportive këtu në Prishtinë, në Bërnicë, në të cilën qendër do të jetë fillimisht stadiumi i ri kombëtar me plotë 25 mijë deri në 30 mijë ulëse, vlerë prej 100 milionë eurove stadium modern e po ashtu edhe pallati olimpik e pishina olimpike. Po ashtu do të ndërtojmë pesë stadiume të tjera rajonale të kategorisë UEFA 3 dhe katër, për t’i përmbushur nevojat e futbollit kosovar në vend”, tha Abdixhiku.
Kreu i LDK-së tha po ashtu se do të ndahen rreth 30 milionë euro për renovimin e palestrave aktuale sportive, e po ashtu do të rritet numri i orëve të edukatës fizike nga dy sa është sot, në katër brenda një jave.
Ai pëmendi edhe faktin që Kosova duhet të përgatitet për Lojërat Olimpike Mesdhetare, prandaj të katër vitet e ardhshme sipas tij, duhet të shihen si mundësi e artë për të modernizuar infrastrukturën sportive.
“Ne kemi plan të guximshëm, kemi investime të mëdha, kemi projekte transformuese, që sportin e Kosovës do ta bëjnë krenari kombëtare”, tha ai.