Live

“Jam duke shkuar në mbledhje”, “jam me nxitim”, që tri herë Kurti refuzon të flasë për ftesën e Prokurorisë

18:58 / 18 Dhjetor 2024

Nga Kosova Live

Kryeministri Albin Kurti nuk ka refuzuar vetëm ftesën e Prokurorisë Speciale për t’u intervistuar para prokurorëve të shtetit në cilësinë e dëshmitarit, për çështjen e rezervave shtetërore. Ai po refuzon të flasë edhe për refuzimin e ftesës në fjalë.

Nga dita e mërkurë, kur është bërë publike ftesa e prokurorisë, shefi i qeverisë tri herë ka refuzuar pyetjet e gazetarëve për këtë çështje.

Në këto raste, ai ka gjetur arsye të ndryshme për të iu shmangur pyetjeve të gazetarëve.

Edhe sot ka vepruar njëjtë.

Derisa ka dalë nga ceremonia e hapjes së ankandit të parë të erës me kapacitet prej 100MWW, ai ka refuzuar të deklarohet për çështjen më të përfolur.

Me të parë gazetarët, ai e ka shikuar orën dhe është arsyetuar se është duke shkuar në një angazhim tjetër.

“Jam duke shkuar në mbledhje të Qeverisë”, ka thënë Kurti, raporton Nacionale.

Për ftesën e prokurorisë, kryeministri Kurti ka refuzuar të flasë edhe të hënën, pasi është kthyer nga vizita në Slloveni.

Pavarësisht insistimit të mediave, ai nuk është ndalur.

Kjo ka qenë hera e dytë që shefi i ekzekutivit ka refuzuar pyetjet për këtë temë.

Ai nuk ka folur asnjë ditë pasi ishte bërë publike ftesa.

Të mërkurën, më 11 nëntorit, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, kishte bërë publike ftesën e Prokurorisë Speciale për intervistimin e kryeministrit Albin Kurti.

Ai e kishte politizuar ftesën, duke e ndërlidhur me zgjedhjet.

“Teksa kryeministri Kurti ndodhet në mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të përmbyllur listën e kandidatëve për deputetë nga koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa në zgjedhjet e vitit 2025, nga kryeministria më njoftuan se ka ardhur një ftesë për të nga Prokuroria Speciale. Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor i cili ia kishte pamundësuar kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021, kurse tash përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025. Qëllimi mbetet i njëjtë. Metoda ka ndryshuar. Kjo është ndërhyrje e sistemit të drejtësisë në proces zgjedhor”, kishte shkruar Kryeziu.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...