Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka deklaruar se Kosova duhet të ngrijë pa afat dialogun me Serbinë. Këtë deklaratë, Rama e ka bërë në Prishtinë, në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve.
Rama ka theksuar se Kosova duhet ta ngrijë dialogun me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me të ta synojë përmes dialogut bilateral më Bashkimin Evropian.
“Lejomëni të ndaj këtu sot opinionin tim, tanimë të konsoliduar ku çka nuk kam parë dhe shumë kam mësuar nga marrëdhëniet me miqtë dhe aleatët e me jo dashamirësit tanë, se në këtë faze kaq vendimtare për të Kosova duhet ta ngrijë, ta ftohë, pa afat dialogun bilateral me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior duhet ta synojë përmes dialogut me BE, duke këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke lidhur kërthizën e reciprocitetit europianist me BE.
Thënë ndryshe Kosova mund t’i japë familjes evropiane në një kohë të shkurtër provën e vullnetit dhe të përkatësisë së vet duke përmbushur kushtet e normalizimit me Serbinë jo për hir Serbisë, por për hir të martirëve dhe të fëmijëve të vet, dhe për hir të të bashkimit tonë kombëtar në familjen e kombeve me kryeqytet Bruksel”, tha Rama.
Rama po ashtu tha se barra e fajit për degradimin e dialogut evropian të normalizimit duhet t’i bjerë e gjitha vetëm Serbisë.
“Sot janë një absurditet absolut dhe se bashku me presidenten në samitin me BE-në dy ditë më parë, kemi këmbëngulur me forcë që ato masa të hiqen dhe kemi siguruar që të gjitha fondet e BE-së që janë penguar të lëvrohen për shkak të atyre masave të mos digjen. Por, ne duhet të jemi dorë për dore, paqedashës dhe paqeruajtës për të bindur edhe skeptikët më të mëdhenj në BE për absurditetin e rezervave të tyre ndaj njohjes së Kosovës si shtet sovran. Në sytë e tyre barra e fajit për degradimin e dialogut evropian të normalizimit duhet t’i bjerë e gjitha vetëm Serbisë, por kurrsesi s’duhet të lejojmë që qoftë edhe një gram t’i bjerë Kosovës. Ne duam që Kosova të njihet një orë e më parë nga të gjithë ato vende evropiane që ngurojnë ta pranojnë realitetin e pakthyeshëm dhe të pandryshueshëm të pavarësisë së saj, përfshirë edhe nga Serbia, të cilën Kosova e ka mundur me luftë këtu e 25 vjet më parë”, tha Rama.