Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pasi Qeveria e Kosovës vendosi të ndahen për fundvit nga 100 euro për fëmijët deri në moshën 16-vjeçare si dhe për pensionistët, gjë për të cilën ajo thotë se shpërndarja e buxhetit në kohë fushate është skemë e korrupsionit publik, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në një postim në Facebook, Bajrami thotë qeveria e ka futur buxhetin e shtetit në “thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota”.
Sipas saj kjo qeveri e cila siç thotë ajo e ka dyfishu çmimin e rrymës e poashtu edhe tatimin në pronë, i ka fy sindikatat e i ka lënë ushtrinë pa bukë, sot me para të taksapaguesve po tenton me ble vota.
“Qeveria e cila investimet kapitale në vitin 2024 i ka më të ulëta se në vitin 2017 e 2018, e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota. Qeveria e cila gjatë mandatit i ka dyfishu faturat e energjisë elektrike, e ka dyfishu tatimin në pronë, i ka poshtru shërbyesit civilë, i ka fy sindikatat, e ka dëtyru njësinë elitare të Policisë me dalë në protestë, i ka mbetë ushtria pa bukë e policët pa këpuca, i ka maltretu prindërit dy vite radhazi me blerjen e librave, qeveria në mandatin e së cilës janë rritë çmimet si kurrë më pare, sot me para të taksapagusëve po tenton me ble vota”, ka shkruar deputetja e LDK-së.
Tutje ajo thotë se qeveria është në panik, por që sipas saj as kjo gjë nuk i ndihmon ata dhe se me 9 shkurt do të votohet për ndryshim e jo për lëmoshë.
“Janë 4 vjet të humbura. Jeni në panikë, por as kjo skemë nuk ju shpeton dot. Me 9 shkurt votohet për ndryshim jo për lëmoshë”, shkruan ajo.
Sot në konferencë për media, Kryeministri Albin Kurti bashkë me Hekuran Muratin, bënë të ditur se të gjithë fëmijët deri në moshën 16 vjeç dhe të gjithë pensionistët do të marrin nga 100 euro për fundvit.
Ministri Hekuran Murati tha se paratë pritet të ekzekutohen javën e ardhshme dhe se prindërit s’kanë nevojë të bëjnë aplikim, pasi ata i kanë të dhënat dhe do të ekzekutohen në mënyrë automatike.