Në kohen kur procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e 9 shkurtit po shkon drejt fundit, janë shtuar edhe thirrjet e partive politike për mërgatën.
Tri ditë para përfundimit të afatit, kandidatët për kryeministër edhe një herë iu kanë bërë thirrjeve bashkatdhetarëve të regjistrohen në këtë proces mënyrë që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit.
Një gjë të tillë, sot e ka bërë kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku.
Ai ka bërë me dije se nga 60 mijë mërgimtar të regjistruar, 25 mijë prej tyre janë mbështes të LDK-së.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se mërgata është përcaktuar për ndryshim.
“Dhe këtu, në këtë përvjetor të 35-të, më lejoni që të shpreh falënderimin e veçantë për bashkatdhetarët tanë, që tashmë kanë nisur uraganin e ndryshimit me regjistrim. Po ju njoftoj, lajmëroj, e kumtoj, se në regjistrimin e votuesve në mërgatë, në bazë të të gjithë të dhënave të strukturave tona, Lidhja Demokratike e Kosovës, prinë me numrin e mbështetësve e votuesve të regjistruar për në zgjedhjet e shkurtit”, ka shkruar ai, duke kërkuar që mërgata të vazhdojë regjistrimin.
“Gjersa flasim sot këtu, nga 60 mijë të regjistruar gjithsejtë, plot 25 mijë janë anëtarë e mbështetës tanë. Ata, së shpejti do të jenë dhe votues tanë të ardhshëm; votues të ndryshimit të madh kombëtar! Ju ftoj, që të tri ditët e mbetura, t’i vazhdojmë angazhimet për regjistrim; dhe kështu, ndryshimin që e ndjejmë brenda, ta mbajmë të barabartë me ndryshimin që na vjen nga mërgata!”, ka shkruar ai.
Të njëjtën gjë dje e ka bërë edhe kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, i ka bërë thirrje diasporës sonë që të regjistrohen për të votuar.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Kosova mundet më mirë.
“Bashkatdhetarë të dashur, Në Evropë, Amerikë apo kudo që jetoni, nëse ende nuk jeni regjistruar për të votuar, regjistrohuni tani. Procedura është e shpejtë, e thjeshtë dhe shumë e rëndësishme. Afati i regjistrimit është vetëm deri më 26 dhjetor. Kosova mundet ma mirë!”, ka shkruar Hamza.
Një thirrje të tillë, e ka bërë edhe kryeministrin Albin Kurti.
Ai ka bërë me dije se e ardhmja e Kosovës bëhet e mundur vetëm me pjesëmarrjen e mërgatës sonë të fuqishme
“Kur vjen mërgata, Kosova është e plotë. Sa më afër që e kemi mërgatën, aq më përpara e çojmë Kosovën. Në takimin e mbrëmshëm me bashkatdhetarë frymonte entuziazmi dhe besimi se, duke qenë së bashku, do ta vazhdojmë punën e mirë. Përkushtimi do të jetë edhe më i fuqishëm, ashtu siç është edhe e ardhmja e afërt për vendin tonë. Edhe katër ditë mbeten nga afati i fundit i regjistrimit për mërgatën, që të mund ta ushtrojë të drejtën për të votuar. Ju ftoj të regjistroheni sa më parë e sa më shpejt, sepse e ardhmja e një Kosove të fuqishme bëhet e mundur vetëm me pjesëmarrjen e mërgatës sonë të fuqishme”, ka shkruar Kurti.