Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se në vigjilje të festave të fundivitit qytetarët e Kosovës pranuan dy dhurata nga Qeveria Kurti.
Ajo ka thënë se dhurata e parë ka të bëjë me ndërprerje të gjata të energjisë elektrike.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se dhurata e dytë kishte të bënte me paralajmërimet e Kurtit për sulme të reja nga Serbia.
“Dje në vigjile të Kërshëndellave, qytetarët e Kosovës pranuan dy “dhurata” nga qeveria. E para, ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike shoqëruar me faturat astronomike për qytetarët tanë, dhe e dyta, paralajmërimet apokaliptike të Kryeministrit për sulme nga Serbia. Pra, mantra e vetme operuese e kësaj kaste udhëheqësish është mbjellja e pasigurisë, paparashikueshmërisë, dhe frikës. Turp kryeministër. Keni ardhë në detyrë me mandat të fuqishëm për të zgjidhur probleme, jo për tu bërë falltor. Kryeministër, detyra e juaj është t’i mbani dritat ndezur, t’i parandaloni sulmet, dhe të krijoni ambient të sigurtë. E jo të na thuani “shujë, se mundet me u ba edhe ma keq”. Jo. Kosova mundet ma mirë”, ka shkruar Çitaku.
Gjatë ditës së djeshme, kryeministri Kurti në një konferencë për media, ka paralajmëruar se mund të ketë sulme të reja në veri të Kosovës, duke shtuar se mund të ndodhin para dhe pas Vitit të Ri.
Duke folur për sulmin e 29 nëntorit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, Kurti ka thënë se Millan Radoiçiq ka dhënë urdhrin, ndërsa shteti i Serbisë ka përgjegjësi për financim, planifikim dhe logjistikën e sulmit. Ai ka thënë se këto deklarata i bazon në të dhënat e inteligjencës dhe autoriteteve të sigurisë.
“Sulmi i 29 nëntorit në kanalin Ibër-Lepenc është vazhdimësi e akteve dhe sulmeve terroriste, dhe aktiviteteve tjera destabilizuese të kryera nga mekanizmat e ndikimit të Serbisë në Kosovë, përfshirë organizatat terroriste serbe. Duke marrë parasysh se akte të tilla terroriste kërkojnë përgatitje profesionale në diversion, dhe faktin se Millan Radoiçiq përkrahet edhe nga strukturat shtetërore të Serbisë, vlerësohet se edhe shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit është përkrahur me planifikim dhe logjistikë nga shteti i Serbisë”, ka deklaruar Kurti para gazetarëve.