Live

Elshani: Sulme tjera mund të ketë në veri, ka prezencë më të shtuar të policisë

22:32 / 25 Dhjetor 2024

Nga Kosova Live

Pas deklaratës së kryeministrit të vendit, Albin Kurti se mund të ketë sulme para dhe pas Vitit të Ri në veri të vendit, situata në katër komunat veriore sot ishte e qetë. Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani thotë se sulme mund të ketë por aktualisht sipas tij situata është e qetë ndonëse pas sulmit në kanalin e Iber Lepenc, është rritur prezenca e policisë. Njohësi i sigurisë Arben Dashevci tha se këto deklarata të kryeministrit Kurti duhet të merren seriozisht.

Me 29 nëntor, infrastruktura kritike u sulmua.

Prapa aktit kriminal në kanalin e Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë tha se qëndron terroristi, Milan Radojiçiq.

Por, ani pse kanë kaluar gati një muaj nga ky sulm, shteti sërish mund të atakohet me këto veprime. Të paktën kështu ka paralajmëruar të martën kryeministri i vendit, Albin Kurti në një konferencë për medie i cili tha se para dhe pas Vitit të Ri mund të ketë sulme në katër komunat veriore.

Megjithatë, gjatë ditës së mërkurë, teksa qëndroi Tëvë1 në veri të Mitrovicës, situata ishte e qetë.

E patrullimet e Policisë së Kosovës në sheshin ‘Car Lazar’ ishin të shpeshta.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani tha se raste të sulmeve mund të ketë por sipas tij, tashmë në veri ka prezencë më të shtuar të policisë.

“Ne kemi një prezencë më të shtuar tash që nga 30 nëntori ku ka ndodhur rasti i fundit deri tash, nuk kemi asnjë incident, ne jemi duke e kryer punën tonë por nuk do të thotë që nuk mund të ndodhë. Është një territor i madh, 17% e territorit të Kosovës kemi bashkëpunim të mirë me policinë kufitare dhe me njësitet e specializuara këtu mirëpo, nuk do të thotë që raste nuk do të ndodhin”.

Njohësi i sigurisë Arben Dashevci deklaroi se informatat që posedon kryeministri vinë nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, presidentja e Kosovës e cila është komandante supreme e  FSK-së marrin informatat të cilat grumbullohen, përpunohen, analizohen dhe sintetizohen nga organizatat më kredibile në Kosovës siç është AKI”, ka deklaruar ai.

Andaj, Dashevci shtoi se deklaratat e kryeministrit Kurti duhet të merren seriozisht.

“E gjitha duhet të merret seriozisht duke pas parasysh që vijnë nga institucionet të cilat janë të shkolluara nga aleati ynë i përjetshëm Shtetët e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe partnerët strategjik. Serbia gjithmonë ka tentuar të destabilizojë Republikën e Kosovës dhe posaçërisht tash në fund kur po iu vije edhe fundi”, tha ai.

Policia e Kosovës rriti prezencën e saj në katër komunat veriore ku sipas këtij institucioni, situata në veri vazhdon të mbetet e brishtë.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...