Live

Verma: Sanksionet kundër NIS-it synojnë Rusinë, jo Serbinë

12:49 / 11 Janar 2025

Nga Kosova Live

Sanksionet e Shteteve të Bashkuara (SHBA) kundër Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) synojnë Rusinë, jo Serbinë, tha Richard Verma, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, të shtunën në Beograd.

“Nuk do të ketë pasoja ekonomike për Serbinë nëse pronësia ruse e NIS-it hiqet. Rusia nuk po investon në të ardhmen e Serbisë, sepse fitimet që ajo realizon nga NIS nuk investohen në Serbi. Ndryshimi i strukturës së pronësisë do të kontribuojë në më shumë paqe në rajon”, tha Verma në një konferencë të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai theksoi se NIS-i është një nga 2.000 kompanitë në pronësi ruse ndaj të cilave SHBA ka vendosur sanksione.

“Qëllimi është të hiqet pronësia ruse nga këto kompani. Ne do ta ndihmojmë Serbinë t’i diversifikojë burimet e saj të energjisë dhe të jetë e pavarur në këtë drejtim”, shtoi Verma.

Vuçiq deklaroi se fakti që sanksionet ndaj NIS nuk kanë për qëllim Serbinë është “ngushëllim i dobët”.

“Sipas llogaritjeve të para, rreth 30 vende janë prekur nga këto sanksione në mënyra të ndryshme – ose subjekte nga ato vende – por kudo bëhet fjalë për asetet, kapitalin dhe interesat ruse”, tha Vuçiq në konferencë.

Industria e Naftës e Serbisë u sanksionua nga Departamenti i Financave i Shteteve të Bashkuara më 10 janar, pasi është nën pronësinë e kompanisë ruse Gazprom Nefta.

Të premten, Vuçiq tha se bëhet fjalë për “sanksione të rënda dhe serioze” dhe se kërkohet “largimi i plotë i Rusisë nga pronësia e NIS-it”.

NIS-i u përfshi në listën e gjashtë kompanive që “janë në pronësi ose kontrollohen, veprojnë ose dyshohet se veprojnë për ose në emër të, drejtpërdrejt ose tërthorazi, Gazprom Nefta”.

NIS është kompania e vetme në Serbi, e cila merret me kërkimin, prodhimin dhe rafinimin e naftës dhe me prodhimin e gazit natyror.

Kompania shtetërore ruse, Gazprom Neft, ka shumicën e aksioneve në NIS që nga viti 2008, ndërsa nga viti 2022, aksione ka edhe kompania e saj mëmë, Gazprom.

Gjithsej, ato kanë 56.15 për qind të aksioneve, kurse 29.87 për qind janë në pronësi të Serbisë.

Pjesa e mbetur u takon qytetarëve, punonjësve, ish-punonjësve dhe aksionarëve të tjerë më të vegjël.

Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, por prodhuesi më i madh në botë i gazit, Gazprom, nuk i nënshtrohet embargos së vendeve perëndimore.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...