Live

Giuliani arrin marrëveshje me punonjëset e zgjedhjeve për pagesën e gjobës lidhur me dënimin për shpifje 

22:48 / 16 Janar 2025

Nga Kosova Live

Rudy Giuliani, ish-kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut, ish-avokat personal i republikanit Donald Trump, ka arritur një marrëveshje me dy punonjëse të zgjedhjeve në Xhorxhia, të cilat ai i akuzoi në mënyrë të rreme se ishin përfshirë në manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2020 në favor të demokratit Joe Biden, sipas dokumenteve të një gjykate të dorëzuara të enjten.

Marrëveshja erdhi në të njëjtën ditë, që një gjyq civil pa juri përpara gjykatësit Lewis Liman, pritej të fillonte në gjykatën federale të Manhatanit mbi çështjen nëse punonjëset e zgjedhjeve, Ruby Freeman dhe vajza e saj Wandrea Moss, mund të merrnin shtëpinë e Rudy Giulianit në Palm Beach të Floridës.

Giuliani është gjobitur dy herë për mospërfillje të gjykatës lidhur me trajtimin që i ka bërë dy punonjësve të zgjedhjeve.

Ai tashmë ia ka dorëzuar zonjës Freeman dhe zonjës Moss apartamentin e tij në Manhatan, një makinë Mercedes-Benz të vitit 1980 dhe pasuri të tjera për të ndihmuar në shlyerjen e një vendimi të gjykatës për t’i paguar ato 148 milionë dollarë shpërblim për pasojat që shpifjet e tij u kanë shkaktuar atyre.

Por, Giuliani pretendon se ai duhej të ishte lejuar të mbante shtëpinë e tij në Palm Beach sepse tani ajo është vendbanimi i tij i përhershëm, një çështje për të cilën gjykatësi do të duhej të vendoste në gjyqin e sotëm, raporton VOA.

Giuliani gjithashtu ka thënë se nuk mund t’i përmbushte kërkesat e Freeman dhe Moss për tre unaza të kampionit të bejsbollit, ekipit “New York Yankees”, sepse ai ia ka dhënë ato si dhuratë djalit të tij Andrew.

Gjykatësi Liman do të vendoste se çfarë do të ndodhte me shtëpinë dhe unazat pas gjyqit në të njëjtin distrikt, ku Giuliani shërbeu si prokurori më i lartë federal nga viti 1983 deri në 1989.

Rudy Giuliani u vlerësua shumë për reagimin e tij si kryetar bashkie ndaj sulmeve të 11 shtatorit 2001, por që atëherë reputacioni tij është dëmtuar tej mase.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...