Nga Lura në Dibër, Fier, Vlorë e më tej në Gjirokastër… zjarret e ndezura kryesisht këtë muaj kanë djegur rreth 26 mijë hektarë me pyje dhe shkurre në Shqipëri. Kjo është ndër sipërfaqet më të madha e djegur në dekadën e fundit. Në krahasim me 2023-shin në total, zjarret në 7 muaj të këtij viti kanë djegur gati 5-fish më shumë sipërfaqe.
“Nëse do t’i kishim paraprirë situatës me masa mbrojtëse , sipërfaqja e djegur do të ishte ndjeshëm më e ulët. Si çdo vit përballemi me zjarre dhe kosto të mëdha për shkak të neglizhencës”, thotë për A2 CNN Abdulla Diku, ekspert i pyjeve.
Duke llogaritur shpenzimet për ripyllëzimin, kostot për rigjenerimin e tokës dhe humbjet nga djegia e lëndëve drusore, dëmi ekonomik nga zjarret e këtij viti përllogaritet në mbi 161 milionë euro.
“Dhe më e keqja është se pas disa zjarreve, dëmi është i pakthyeshëm. Ka sipërfaqe të cilat nuk mund të rikuperohen pasi dëmi është i pakthyeshëm. Toka ka humbur aftësitë regjeneruese dhe sipërfaqja nuk mund të rivitalizohet”, tha ai, raporton A2CNN, transmeton Klankosova.tv
Sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje, deri më tani ka pasur 58 zjarre në pyje e kullota.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, Mirdita, Puka, Shkodra, Mati, Dibra, Bulqiza, Librazhdi, Erseka dhe Korça janë zonat më ritmin më të lartë të shpyllëzimit, kryesisht si pasojë e zjarreve.