Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, ka folur me rrjedhën e proceseve gjyqësore në Gjykatën Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ligji mbi Dhomat e Specializuara i ka specifikuar qartë se cilat ligje aplikohen dhe me keqardhje mund të them se këtë ne e kemi legjitimuar me vendim të cilin e ka nxjerrë Kuvendi i Kosovës, dhe Kuvendi i Kosovës i ka përcaktuar në mënyrë taksative se cilat ligje aplikohen. Ato ligje duhet t’u aplikohen”, ka thënë Hasani në Klan Kosovë.
“Nuk mund të themi se nuk po i aplikon. Mirëpo, kur të kemi të bëjmë me Sali Mustafën, ato kanë cenuar një standard i cili është i vendosur kaherë me shekuj në të drejtën penale, se duhet të aplikohet ligji më i butë. Domethënë, nëse nga koha e kryerjes së veprës penale deri kur të gjykohet personi disa herë ka ndryshuar ligji, gjithmonë zgjidhet ai ligj i cili ka qenë më i favorshëm, i ndryshuar në favor të të pandehurit. Dhe këtë dimension nuk e kanë zbatuar te rasti i Sali Mustafës”.
Sipas Hasanit, ligjet janë duke u aplikuar por duke u interpretuar gabimisht.
Janë duke i aplikuar ligjet, por janë duke i interpretuar gabimisht për faktin se ato po i referohen një ndryshimi të ligjit që ka ndodhur nga ana e Kushnerit, sepse Kushneri e ndryshoi ligjin që aplikohej në Kosovë me ardhjen në pushtet si përfaqësues special i OKB-së, e hoqi dënimin me vdekje, mirëpo një periudhë kohore e la pezull se çfarë ndodh me atë çështje penale që deri në atë moment ka qenë i paraparë dënimi me vdekje”.
“Kur reaguan gjyqtarët e Kosovës se çfarë ka ndodhur me këtë, atëherë e bënë ndryshimin e dytë duke e paraparë dënimin deri në 40 vjet. Gjithmonë po i referohen se këtij ndryshimi 40 vjet se kanë të drejtë për me shqiptu dënim mbi 15 vjet”.