Procedura e rekrutimit për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale është anuluar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK), pasi janë konstatuar shkelje të rënda në fazën e verifikimit paraprak dhe zbatimit të ligjit gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve.
Vendimi i Këshillit, që e ka siguruar Periskopi, është marrë pas shqyrtimit të ankesave të tre kandidatëve, A.S, S.T dhe K.D, të cilët kishin kundërshtuar vendimet e Agjencisë për përjashtimin e tyre nga gara ose për mënyrën e vlerësimit të kandidatëve të tjerë.
Sipas Kolegjit për Shqyrtimin dhe Vendosjen e Ankesave brenda Këshillit, është vërtetuar se Agjencia ka përfshirë në listën e ngushtë një kandidate që nuk plotësonte kriteret ligjore të përvojës menaxheriale, ndërkohë që kishte përjashtuar kandidatë që përmbushnin të gjitha kërkesat formale dhe substanciale të konkursit.
Konkursi me numër reference RN00016306 ishte shpallur më 14 janar 2025, me afat aplikimi deri më 13 shkurt. Ai kërkonte kandidatë me diplomë universitare në farmaci, juridik, mjekësi, kimi apo fusha të ngjashme, dhe përvojë profesionale prej të paktën 8 vitesh, përfshirë përvojë në pozita udhëheqëse.
Megjithatë, nga verifikimi i dokumentacionit rezultoi se një nga kandidatet e përzgjedhura, S.H, nuk ka dëshmuar përvojë të dokumentuar menaxheriale, as përmes kontratës së punës dhe as përmes kontributeve të Trustit Pensional. Një ndër vërtetimet e saj ishte i pasaktë dhe nuk mbështetej në dokumentacion të vlefshëm.
Ndërkohë, ankuesi K.D kishte ofruar dëshmi të qarta për përvojën e tij si Menaxher i Përgjithshëm në sektorin privat dhe si Këshilltar Politik në një ministri, ndërkohë që ishte përjashtuar për mungesë të dokumentacionit të përvojës, gjë që më pas rezultoi e pavërtetë, pasi dokumentet e tij ishin të plota dhe të vlefshme.
Ankuesi tjetër, S.T, kishte kontestuar përzgjedhjen e kandidates S.H, duke theksuar se ajo nuk kishte përvojën e kërkuar në pozita drejtuese, ndërsa vetë kishte arritur 81 pikë nga procedura e vlerësimit. Edhe pretendimet e tij u vlerësuan si të bazuara nga Këshilli, i cili konstatoi gjithashtu mungesën e kontrollit rigoroz mbi aplikacionet dhe përfshirjen e kandidatëve të papërshtatshëm në listën e ngushtë.
Këshilli thekson se gjatë shqyrtimit janë analizuar mbi 30 aplikacione, dokumente mbështetëse si diploma, kontrata pune, dëshmi të Trustit Pensional, licenca profesionale dhe vendime institucionale. Nga ky shqyrtim rezultoi se Njësia për Burime Njerëzore në Agjenci kishte vepruar në kundërshtim me nenin 44 të Ligjit për Zyrtarët Publik dhe Rregulloren për procedurat e konkursit, duke mos verifikuar siç duhet përmbushjen e kritereve për kandidatët.
Në përputhje me Ligjin për KPMShCK dhe procedurën administrative, Kolegji vendosi të aprovojë të tria ankesat si të bazuara dhe të anulojë tërësisht konkursin për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv. U.D. Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë është i obliguar ta zbatojë këtë vendim brenda 15 ditësh nga data e pranimit të tij dhe të njoftojë Këshillin me shkrim për hapat e ndërmarrë.
Vendimin e plotë e gjeni këtu.