Prokuroria Themelore në Gjakovë ka paraqitur kërkesë në Gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj personit me inicialet E.M., i dyshuar për shitje të paautorizuar të narkotikëve dhe mbajtje të armës pa leje.
Sipas Prokurorisë, më 11 gusht 2025, rreth orës 21:25, në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, gjatë një kontrolli policor, në çantën e të dyshuarit janë gjetur gjashtë qese të mbushura me substancë narkotike të dyshuar të llojit kokainë, me peshë totale prej 2.71 gramësh.
Pas kësaj, policia ka kryer bastisje në banesën e të dyshuarit, ku janë sekuestruar gjithsej 385.71 gramë kokainë të ndara në disa paketimë, një peshore digjitale, dy palë gërshërë, një lugë metalike, shirit ngjitës, shkrepëse dhe qese të zbrazëta të vogla, të cilat dyshohet se shërbenin për ndarjen dhe shitjen e lëndës narkotike.
Po ashtu, gjatë bastisjes është gjetur edhe një armë: revole me gaz e modelit “Zoraki” dhe një karikator, të cilat i dyshuari dyshohet se i mbante pa leje.
E.M. dyshohet për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas nenit 267, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 i KPRK-së.
I dyshuari është arrestuar dhe ndodhet nën masën e ndalimit 48 orësh.