Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe formimi i Qeverisë së re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit e dëmton reputacionin e Kosovës në skenën politike ndërkombëtare.
Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se situatën në të cilën është vendi e kanë bërë vet politikanët e Kosovës.
“I vendos në pauzë, si mund të keni partner nëse nuk keni bashkëbisedues nga ana tjetër. Dëmton qëndrimin dhe reputacionin ndërkombëtar të Kosovës sepse e keni një krizë që e keni shkaktuar vet. Askush nga ne nuk e kupton, askush nga ne nuk e kupton se pse 54 apo 55 tentime keni për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit të Kosovës”, tha Rohde.
Rohde u shpreh se nuk e kupton situatën në të cilën është Kosova, ai tha se partitë politike vendore po kalojnë në zgjedhjet lokale pa zgjidhur çështjen e zgjedhjeve nacionale.
“Nuk e kuptojë këtë situatë, unë jam një vëzhgues i huaj tashmë pesë vjet. Na duhet një zgjidhje e re, nëse është në horizont, por ndoshta edhe zgjedhje të reja. Por në vend të kësaj, kemi një ndjesi që hisedarët politik, partitë përqendrohen në pjesën e dytë të rrugës, pra zgjedhjet lokale pa e zgjedhur pjesën e parë pa e pasë Kuvendin funksional”, u shpreh Rohde.