Ndërmarrjes Publike të Pastrimit KRM “Ekoregjioni” i është ndërprerë sot energjia elektrike.
Këtë e ka bërë të ditur kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Burim Shala, i cili tha se ky është veprim skandaloz, i paarsyeshëm dhe i papranueshëm ndaj një ndërmarrjeje publike që shërben për qytetarët.
E për këtë veprim, ka reaguar Shoqata për Pastërti dhe Ambient të Kosovës (PAMKOS), duke theksuar se këto veprime nuk prekin vetëm administratën e këtyre ndërmarrjeve, por mbi të gjitha e dëmtojnë shërbimin ndaj qytetarëve.
“Ndërmarrjet publike të mbeturinave – si ato regjionale, ashtu edhe ato lokale – janë shtylla kryesore e ofrimit të një shërbimi jetik për qytetarët dhe komunat. Çdo ditë, qindra punëtorë të këtyre ndërmarrjeve dalin në terren për të mbajtur qytetet dhe fshatrat tona të pastra, duke u përballur me kushte të vështira pune, shpesh të nënvlerësuar e të parespektuar”.
“Ndërprerja e energjisë elektrike, penalizimet e pashpjeguara ose trajtimet e padrejta nga institucionet rregullative nuk prekin vetëm administratën e këtyre ndërmarrjeve, por mbi të gjitha e dëmtojnë shërbimin ndaj qytetarëve”, tha ndër të tjera kjo Shoqatë.
PAMKOS tha se ky është sektor që ka funksion jetik mjedisor dhe shoqëror të cilët obligohen të sigurojnë shërbim esencial publik që ka ndikim direkt në shëndetin publik dhe në mbrojtjen e mjedisit, punojnë me kapacitete të mëdha njerëzore – shumica punëtorë operativë në terren në grumbullim dhe mirëmbajtje dhe janë të detyruara me ligj që të ofrojnë shërbimin, pavarësisht vështirësive financiare.
PAMKOS tha se ndërmarrjet publike të mbeturinave nuk duhet të trajtohen si kompani të zakonshme tregtare dhe se “çdo veprim që pengon funksionimin e tyre është veprim që dëmton qytetarët, shëndetin publik dhe mjedisin”.
“Nëse institucionet e shohin të arsyeshme të ndërmarrin masa ndëshkuese, ato duhet të jenë të përshtatura, proporcionale dhe kurrsesi të mos rrezikojnë vazhdimësinë e shërbimit”, tha PAMKOS, teksa kërkoi nga institucionet shtetërore dhe rregullative që të trajtojnë ndërmarrjet publike të mbeturinave me status të veçantë, si shërbime jetike për komunitetin dhe mjedisin, të krijojnë mekanizma të posaçëm për menaxhimin e çështjeve financiare dhe energjetike të këtyre ndërmarrjeve, pa rrezikuar shërbimin publik dhe të sigurojnë dialog dhe zgjidhje institucionale, jo masa që godasin drejtpërdrejt qytetarët.