Gjatë takimit të mbajtur të shtunën në Alaska mes Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, ndodhi edhe një gjest i papritur diplomatik nga zonja e parë e SHBA-së, Melania Trump.
Ajo i ka dërguar një letër “paqeje” presidentit rus, duke shprehur shqetësimin e saj për fatin e fëmijëve në luftën në Ukrainë, pa përmendur drejtpërdrejt vendin.
“Çdo fëmijë ndan ëndrrat e njëjta, qofshin ata të lindur në fshatrat e një kombi ose në qytetet e mëdha. Ata ëndërrojnë për dashuri, mundësi dhe siguri nga rreziku”, ka shkruar ajo.
Letra u dorëzua personalisht nga presidenti amerikan, gjatë bisedimeve me Putinin.
“Por në botën e sotme, disa fëmijë janë të detyruar të mbajnë të qeshurën në heshtje… Zotëri Putin, ju mund ta riktheni këtë qeshje”, vazhdon letra.
Melania përmbyll me një mesazh të fortë: “Në mbrojtjen e pafajësisë së këtyre fëmijëve, ju do të bëni më shumë sesa të shërbeni vetëm për Rusinë – do t’i shërbeni vetë njerëzimit”.
Letra u publikua pak javë pas akuzave serioze të ngritura nga Ukraina, sipas të cilave Rusia ka rrëmbyer fëmijë ukrainas dhe i ka dërguar të shërbejnë në ushtrinë ruse, gjë që Kievi e ka quajtur “plan të koordinuar nga shteti”.
Ndryshe, Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar një urdhër-arresti për Vladimir Putinin për rrëmbim të fëmijëve – akuzë të cilën Moska e mohon.