Live

Mbeti e bllokuar në “Gjirin e Filikurit”, policia shpëton turisten çeke

15:24 / 17 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Komisariati i Policisë Himarë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Himarë, i erdhën në ndihmë një turisteje çeke, e cila kishte mbetur e bllokuar në një zonë të thepisur, në vendin e quajtur “Filikurë”.

Sot, pas marrjes së njoftimit se një turiste çeke, gjatë zbritjes me litar në terren shkëmbor, ishte rrëzuar dhe kërkonte ndihmë, shërbimet e patrullës së Rendit dhe ato të Policisë Kufitare organizuan punën dhe kaluan menjëherë në vendin e raportuar.

Pas lokalizimit të turistes, u bë e mundur zbritja e saj në mënyrë të sigurt nga shkëmbinjtë dhe transportimi me mjetin lundrues të Policisë Kufitare drejt portit të Himarës, e më pas drejt qendrës shëndetësore, për kontroll mjekësor ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia apelon që vizitorët dhe pushuesit, gjatë eksplorimeve në terrene të vështira, të tregojnë kujdes maksimal dhe të marrin masat e nevojshme për sigurinë e tyre.

Shpërndaje në

U Kopjua