Gjykata e Korçës la sot në ‘arrest me burg’ të miturin 14 vjeçar i cili pasditen e 14 gushtit vrau me thikë bashkëmoshtarin e tij, Erald Xhejo.
Në burg kanë mbetur edhe babai dhe axhi i 14 vjeçarit, përkatësisht Edison dhe Roland Guri të cilët akuzohen se kanë fshehur thikën dhe kanë bërë veprime të tjera për të fshehur gjurmët e vrasjes, transmeton klankosova.tv.
Ndërkohë për 4 të miturit që kanë qenë të pranishëm në vendin e krimit dhe nuk kanë treguar ngjarjen është dhënë detyrim me paraqitje në mbikëqyrje të prindërve.
Arrest shtëpie është dhënë dhe për mikun e babait të autorit Flori Çela, i cili u përpoq ta largonte autorin.
Seanca gjyqësore e nisur paraditen e sotme ka zgjatur disa orë.
Burime brenda sallës gjyqësore thanë se autori gjatë seancës ka folur mes lotësh duke shprehur shumë pendesë.
”Nuk kam dashur të bëj vrasje. Ishte grindje e çastit. Jam shumë i penduar. Ngushëllime për familjes”.
Vrasja me thikë e Erald Xhejos ndodhi pasditen e 14 gushtit 2025, në një lokal në fshatin Pirg, që ndodhet mes dy fshatrave Leminot ku banonte autori dhe Zvirinë ku banonte viktima.
Viktima, 14-vjeçari së bashku me një shok ka shkuar në fshatin Pirg për t’u qethur. Ata kanë parë autorin duke kaluar me makinë dhe i kanë fishkëllyer me qëllim për t’u sqaruar. Pasi ka dalë nga makina, autori ka nisur të debatojë, ndërkohë që ka nxjerrë thikën.
Eraldi në këto kushte, ka marrë një karrige nga oborri i lokalit për t’u vetëmbrojtur, duke e vendosur përpara trupit, por teksa bënte hapa pas është penguar dhe autori, në atë moment, e ka goditur me thikë. E gjithë ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë së lokalit.
I mituri nga fshati Leminot, pas kryerjes së krimit tentoi të largohej me automjet nga vendngjarja.
Ndaj tij sipas Syri, rëndon akuza “Vrasja me dashje” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. Gjatë konfliktit, ai ka marrë dëmtime të lehta, është trajtuar në spital dhe ka lënë ambientet mjekësore për t’u prangosur.