Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë publikuar detajet e marrëveshjes tregtare të arritur muajin e kaluar, e cila synon të qetësojë tensionet në luftën tregtare të nisur nga administrata Trump.
Dokumenti i përbashkët, i publikuar të enjten, parashikon që ShBA-ja të mbajë tarifat e larta për automjetet evropiane deri sa BE-ja të ndërmarrë hapa për uljen e detyrimeve doganore mbi produktet industriale dhe bujqësore amerikane, raporton New York Times, transmeton Klankosova.tv.
Tarifat prej 15 për qind do të vazhdojnë të aplikohen për shumicën e mallrave evropiane, përfshirë edhe disa nga eksportet kryesore si barnat farmaceutike, duke shmangur kështu taksat e reja që pritej të arrinin deri në 200 për qind. Megjithatë, për makinat evropiane tarifa prej 27.5 për qind do të mbetet në fuqi, deri në momentin kur BE-ja të miratojë zyrtarisht ligje për uljen e taksave mbi produktet amerikane.
Komisioneri evropian për tregti, Maros Sefcovic, konfirmoi se procesi ligjvënës do të nisë këtë muaj, duke i hapur rrugë uljes së tarifave për makinat me efekt prapaveprues nga 1 gushti.
Pavarësisht përpjekjeve të Brukselit, negociatorët evropianë nuk arritën të sigurojnë lehtësime për verërat dhe pijet alkoolike, që tani do të taksohen me 15 për qind – ndryshe nga e kaluara kur tarifat ishin zero.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cilësoi marrëveshjen si një hap drejt “stabilitetit në partneritetin më të madh tregtar në botë”. Megjithatë, marrëveshja nuk është ende e detyrueshme ligjërisht dhe shihet si një hap i parë drejt një pakti më gjithëpërfshirës që mund të kërkojë vite negociata.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, Evropa është zotuar gjithashtu të rrisë blerjet e energjisë amerikane me vlerë 750 miliardë dollarë dhe të shtojë investimet në ShBA me mbi 600 miliardë, megjithëse këto shifra nga Brukseli konsiderohen më shumë premtime sesa objektiva të detyrueshëm.