Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos e certifikuar Listën Serbe dhe partinë Demokracia Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka shkaktuar reagime të shumta ndërkombëtare, raporton Gazeta Sinjali.
KQZ-ja refuzoi certifikimin e Listës Serbe me dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime, pasi paraprakisht anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ publikuan dokumente që tregojnë se kandidatë të Listës Serbe për kryetarë komunash apo asamblistë, mbajnë pozita në organet paralele të Serbisë në Kosovë.
Nuk u certifikua as partia Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit, i cili kërkohet nga autoritetet e sigurisë në Kosovë.
Kështu, misioni i OSBE-së në Kosovë theksoi se përjashtimi i akterëve politikë cenon pluralizmin demokratik dhe besimin në institucione, duke kufizuar mundësitë për përfaqësimin e drejtë të të gjitha komuniteteve.
“Pjesëmarrja e plotë dhe e vërtetë e të gjitha komuniteteve në procesin zgjedhor është thelbësor për qëndrueshmërinë, integritetin dhe stabilitetin afatgjatë demokratik”, thuhet në komunikatën e OSBE-së, e cila gjithashtu njoftoi se do të vazhdojë të monitorojë procedurat pasuese ligjore në PZAP.
Shtetet e QUINT-it shprehën shqetësimin se vendimi minon parimet demokratike dhe pengon konkurrencën e lirë mes partive që përfaqësojnë komunitetet joshumicë.
Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së dhe Zyra e BE-së në Kosovë thanë se përjashtimi i partive të komuniteteve pakicë dëmton besimin ndaj institucioneve.
“Përjashtimi i akterëve politikë minon pluralizmin demokratik, dobëson besimin në institucione dhe zvogëlon mundësitë për të gjitha komunitetet që të përfaqësohen në mënyrë të drejtë. Misioni thekson se pjesëmarrja e plotë dhe e vërtetë e të gjitha komuniteteve në procesin zgjedhor është thelbësor për qëndrueshmërinë, integritetin dhe stabilitetin afatgjatë demokratik”, thuhej në komunikatë.
Misioni ka thënë se do të vazhdojë ta monitorojë situatën, duke përfshirë edhe procedurat pasuese ligjore që mund të ndodhin nëpërmjet Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) pas moscertfikimit të Listës Serbe.
Në një reagim të premten, ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Zyra e BE-së në Kosovë kanë shprehur shqetësim për “përpjekjet nga akterë politikë për ta kufizuar konkurrencën mes partive politike që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit”.
“Çdo veprim i tillë për t’i përjashtuar disa komunitete minon parimet demokratike dhe dëmton besimin ndaj institucioneve të Kosovës”, thuhej në reagim.
QUINT-i ka thënë se pret që Qeveria në largim dhe partitë tjera të përmbahen nga hapat e mëtejmë që pengojnë regjistrimin e partive. Po ashtu u është bërë thirrje partive të prekura nga vendimet që të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresave.
Lista Serbe nuk u certifikua, ndonëse e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati, paraprakisht ka shprehur shqetësim me veprimet që, siç tha, t’u pamundësohet disa partive serbe pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Pas takimit që e ka pasur të enjten pasdite me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ajo ka thënë se tendenca të tilla janë shfaqur nga Kurti dhe partia që ai e drejton, Lëvizja Vetëvendosje.
“Ngrita shqetësimet tona që kuptojmë se kryeministri në detyrë dhe Lëvizja Vetëvendosje po e shqyrtojnë t’i përjashtojnë disa nga partitë politike nga pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme lokale. Të jemi të qartë, besojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës duhet ta kenë mundësinë e plotë t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre”, ka thënë Prattipati.
Diplomatja amerikane ka bërë të ditur se SHBA-ja është duke e vëzhguar këtë çështje.
Edhe Bashkimi Evropian konfirmoi zhgënjimin për moscertifikimin e dy partive serbe dhe për keqardhjen për qëndrimin e Vetëvendosjes gjatë procesit.
“BE-ja është e zhgënjyer për moscertifikimin e dy partive politike të serbëve të Kosovës. Është për keqardhje qëndrimi i Vetëvendosjes gjatë procesit të certifikimit. Karakteri gjithëpërfshirës i zgjedhjeve të ardhshme lokale është kyç për të ardhmen e raporteve në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Partitë politike që i kanë përmbushur kriteret ligjore duhet të lejohet të marrin pjesë në zgjedhje dhe përfaqësuesit e zgjedhur duhet të marrin detyrat gjithandej Kosovës, bazuar në një proces të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirës”, thuhej në reagim.
BE-ja ka thënë se pret që institucionet përgjegjëse të sigurojë se i gjithë procesi, përfshirë apelimi i partive, të kryhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në Kosovë.
Sipas BE-së, përjashtimi i cilitdo akter politik bie ndesh me parimet e demokracisë. BE-ja ka thënë se do të vazhdojë t’i monitorojë nga afër zhvillimet.