Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka akuzuar të shtunën Rusinë se “po bën gjithçka që mundet” për ta penguar takimin mes tij dhe homologut rus, Vladimir Putin, në kuadër të procesit diplomatik që synon t’i japë fund luftës në Ukrainë.
Komentet e tij vijnë një ditë pas deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump, i cili theksoi se Putini dhe Zelensky janë sikurse “vaji me uthullën”, duke nënkuptuar se “nuk shkojnë mirë së bashku”.
Kryediplomati rus, Sergei Lavrov, njoftoi se Putini është i gatshëm të takohet me liderin ukrainas “kur të jetë gati agjenda e samitit”, por sipas tij, kjo agjendë “s’është fare në horizont”, ka raportuar BBC.
Pas një jave të ngarkuar me përpjekje diplomatike të nivelit të lartë, gjatë së cilës Trumpi u takua fillimisht me Putinin në Alaskë dhe më pas me Zelenskyn dhe liderët e tjerë evropianë në Washington, presidenti amerikan bëri të ditur se kjo luftë po rezulton të jetë më e vështira që ka provuar ndonjëherë ta ndalojë.
Trumpi kishte thënë pas telefonatës të zhvilluar të hënën me udhëheqësin rus, se përgatitjet për samitin Putin-Zelensky veçse kishin filluar.
Zelensky e ka mbështetur këtë nismë, por ka kërkuar garanci sigurie nga aleatët perëndimorë për të parandaluar çdo sulm të ardhshëm nga Rusia në rast se arrihet një marrëveshje paqeje. Ai theksoi: “Ukraina, ndryshe nga Rusia, nuk ka frikë nga asnjë takim mes liderësh.”
Gjatë një vizite në Kiev, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se Trumpi po synon ta “thyejë ngërçin” dhe se aleanca ushtarake po punon për garanci të fuqishme sigurie me SHBA-në dhe Evropën për t’u siguruar që Rusia “të mos përpiqet më kurrë ta sulmojë Ukrainën.”