Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ka njoftuar përmes një postimi në Instagram se ka zhvilluar një bisedë telefonike “të gjatë dhe miqësore” me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov.
Vuçiq tha se me Lavrovin ka diskutuar për marrëdhëniet bilaterale, për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, realizimin e projekteve të përbashkëta, si dhe për koordinimin politik në organizata dhe institucione ndërkombëtare.
Në fokus të veçantë, Vuçiq theksoi Kosovën, duke pretenduar se “popullsia serbe në Kosovë po përjeton përndjekje të vazhdueshme” dhe akuzoi komunitetin ndërkombëtar për “heshtje” ndaj kësaj situate.
“Ministrin Lavrov e informova edhe për situatën e brendshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për gjendjen në Kosovë dhe përpjekjet e vazhdueshme për dëbimin e popullsisë sonë nga vatrat shekullore, si dhe për heshtjen e pjesës më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare”, shkroi Vuçiqi në Instagram, raporton Klankosova.tv.
Ai bëri të ditur se biseda ka përfshirë edhe zhvillimet në rajon, duke përmendur Bosnjë e Hercegovinën dhe krizën që sipas tij është “e nxitur nga jashtë”, si dhe sulmet ndaj entitetit serb, Republikës Sërpska.