Mediat kroate, gjatë ditës së djeshme raportuan për arrestimin e një qytetareje serbe nga Mitrovica e Veriut dhe të një piloti ushtarak kroat, nën dyshimin për spiunazh ndaj strukturave serbe në veri të Kosovës, por edhe në Serbi.
A.M., serbja nga Kosova, thuhet se ka mbledhur informacione nga piloti kroat, i cili është njëkohësisht i dashuri i saj dhe që ka shërbyer në Kosovë në kuadër të kontingjentit kroat në KFOR.
Mirëpo, nga qeveria e Kosovës po thonë se pretendimet e tilla nuk qëndrojnë.
“Në lidhje me pretendimet se personi me inicialet A.M., serbe nga Mitrovica, e cila është arrestuar nga autoritetet kroate për dyshime për spiunazh për Serbinë, ka pasur lidhje edhe me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, në krye të herës duam ta bëjmë të qartë për publikun se Zyra e Kryeministrit përbëhet nga stafi civil i përhershëm dhe kabinetet e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave të cilat përbëhen nga të emëruar politikë. Më tej, duam të theksojmë se qasja në informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit është strikt e kufizuar”.
“Andaj ne hedhim poshtë çdo pretendim se personi në fjalë mund të ketë siguruar informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit.”, ka thënë zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.
Ai megjithatë thotë se viteve të fundit, “si pasojë e humbjes së kontrollit në veri përmes rrjetit kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq, Serbia ka rritur aktivitetet e spiunazhit dhe ne vazhdimisht kemi ngritur në publik shqetësimet tona mbi aktivitetet e inteligjencës serbe në territorin e Republikës së Kosovës”.
Kryeziu kujtoi rastin e arrestimit në korrik të një togeri të Policisë së Kosovës, i etnisë serbe, mbi dyshime të bazuara për veprimtari spiunazhi në Republikën e Kosovës, për interesa të Agjencisë për Siguri dhe Informim (BIA), me synim rrezikimin e sigurisë në përgjithësi dhe operacionet e Policisë së Kosovës në veçanti.
Kurse në shkurt, ai tha se ishte arrestuar një person tjetër mbi dyshime për spiunazh, po ashtu e etnisë serbe, e cila punonte në misionin e OSBE-së në Kosovë.
“Institucionet tona të sigurisë dhe inteligjencës po punojnë në vazhdimësi e me vigjilencë të lartë, dhe suksesshëm po i kundërvihen përpjekjeve të dashakeqe dhe destabilizuese të Serbisë në Kosovë”.
“Duke qenë se veprimtaria e A.M. dhe shtetasit kroat, të dy të arrestuar në Kroaci, është zhvilluar në Kosovë, institucionet tona janë në gatishmëri të plotë që të bashkëpunojnë me institucionet e Kroacisë për zhvillimin e mëtejmë të hetimeve dhe zbardhjen e plotë të aktiviteteve dhe rrjetit të veprimit”, tha Kryeziu.