Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një shkollë profesionale në qytetin Essen të Gjermanisë, ku një mësuese është sulmuar me thikë.
Policia e Essenit raportoi në platformën X, se autori i dyshuar fillimisht ishte në arrati, por më vonë u gjet dhe u identifikua.
Gjatë arrestimit, policia përdori armë zjarri, dhe personi i dyshuar nga Kosova mbeti i plagosur.
Ai ndodhet aktualisht nën kujdes mjekësor, transmeton Klankosova.tv.
Siç shkruan media gjermane “Die Zeit” ai dyshohet të jetë mes moshës 17-18 vjeç.
Mësohet se nxënësi e ka sulmuar mësuesen në mënyrë të qëllimshme dhe se ngjarja ndodhi rreth orës 09:30 të mëngjesit.
Pas sulmit, shkolla u rrethua nga forca të shumta policie, përfshirë edhe një helikopter dhe njësi speciale.
Policia ende nuk ka dhënë detaje për motivin e sulmit, dhe hetimet janë në vazhdim.
Ndërkohë, mësuesja e plagosur është jashtë rrezikut për jetën, edhe pse ka marrë një plagë të rëndë me thikë në zonën e gjoksit dhe barkut.