Një avokat i quajtur Mark Zuckerberg po padit platformën e Facebook-ut, pasi rrjeti social ia ka mbyllur vazhdimisht faqen, duke pretenduar se ai po imitonte shefin e kompanisë.
Mark Stephen Zuckerberg, një avokat në shtetin amerikan të Indianës, thotë se ka shpenzuar mijëra dollarë duke promovuar shërbimet e tij në Facebook, por faqja e tij është bllokuar vazhdimisht, shkruan The Telegraph, transmeton Klankosova.tv.
Zuckerberg thotë se jeta e tij është përmbysur duke ndarë një emër me njeriun e tretë më të pasur në botë, duke përfshirë marrjen e kërcënimeve me vdekje dhe telefonatave të pandërprera për mbështetje teknike.
“Nuk është qesharake,” i tha ai kanalit lokal të lajmeve WTHR. “Jo kur më marrin paratë.”
Ai tha se e kishte pasur emrin Mark Zuckerberg “shumë më gjatë se që e ka pasur [Zuckerbergu i Facebook-ut]” dhe po ngre padi pas vitesh që llogaria e tij ishte hequr padrejtësisht.
Ai tha se kishte shpenzuar më shumë se 11,000 dollarë në reklama në Facebook për të promovuar praktikën e tij ligjore, por se si faqet e tij të biznesit ashtu edhe ato personale ishin hequr vazhdimisht për “imitim të një personazhi të famshëm”.
Zuckerberg tha se shpesh duhen muaj për të rikthyer llogarinë e tij, duke çuar në humbje të biznesit, dhe se kompania kishte shkelur ligjet e “marrëveshjeve të drejta”.
“Do të preferoja të mos zihesha me ta, por nuk di si t’i ndaloj”, tha ai. “Nuk di si tjetër t’ua tërheq vëmendjen.”