Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, reagoi pasi hapësira ajrore e Rumanisë u shkel nga një dron gjatë një sulmi rus ndaj infrastrukturës në Ukrainë.
“Ndërhyrja e Rusisë në hapësirën ajrore rumune është edhe një herë një shkelje e hapur e sovranitetit të BE-së dhe një kërcënim serioz për stabilitetin e rajonit. Ne po bashkëpunojmë ngushtë me Rumaninë dhe shtetet anëtare për të mbrojtur territorin e BE-së. Ne jemi në solidaritet me Rumaninë”, shkruan Von Der Leyen në platformën “X”.
Ministria rumune e Mbrojtjes deklaroi sot se hapësira ajrore e vendit u shkel nga një dron gjatë një sulmi rus ndaj infrastrukturës në Ukrainën fqinje.
“Avionët luftarakë zbuluan një dron në hapësirën ajrore kombëtare dhe e gjurmuan atë derisa u zhduk nga radari pranë fshatit Chilia Veche”, shtoi ministria.
Droni “nuk fluturoi mbi zona të populluara dhe nuk përbënte një kërcënim të menjëhershëm për sigurinë e popullsisë”, thuhej në deklaratë
Pak ditë më parë Polonia raportoi shkeljen e hapësirës së saj ajrore nga 19 dronë rusë, 4 prej të cilëve u rrëzuan.