“Arena Kombëtare” do të inaugurohet zyrtarisht më 17 nëntor, në përballjen e fundit kualifikuese të këtij edicioni kundër kampionëve të botës në fuqi, Francës. FSHF do të organizojë një ceremoni inauguruese madhështore, qoftë për nga spektakli por qoftë edhe për nga emrat që do të vijnë.
I ftuar në stadion e televizionit “Ora News”, në një rrëfim përballë gazetares, Beti Njuma, kreu i FSHF-së, ka folur në lidhje me inagurimin e stadiumit dhe jo vetëm, teksa ka zbuluar se ka ftuar edhe homologët serbë.
Duka gjithashtu nuk ka nguruar të flasë edhe për koston e impanjantit modern, si dhe problematikat e ndryshme në futbollin shqiptar, nga dhuna, te trukime. Ja rrëfimi i presidentit të FSHF-së.
Stadiumi do të jetë gati për ndeshjen me Francën. Por, përpara saj do të ketë një ndeshje test më 3 nëntor, ku ekipi i femrave të Vllaznisë do të luajë ndaj ekipet të femrave të Apolonisë. Është një ndeshje e detyrueshme para se të luhet një ndeshje në kompeticion Europian. Do të ketë një ceremoni hapjeje, para asaj me Francën e cila është edhe e fundit e këtyre kualifikueseve për ‘Euro 2020’.
Ajo që unë mund të konfirmoj, është vullneti i mirë i FSHF-së për të vazhduar me trajnerin. Një projekt disi më afatgjatë sesa vetëm kjo periudhë. Varet edhe nga trajneri, por unë besoj se edhe dëshira e tij do të jetë për të vazhduar, të paktën edhe një periudhë dy vjeçare në Shqipëri.
A jeni i kënaqur me rezultatet e Kombëtares në erën “Reja”?
Nuk mendoj se kemi marrë atë që meritojmë. Jo pse jam drejtues i FSHF-së, por për çfarë ka dhënë ekipi në fushë, mendoj se ka merituar diçka më shumë si Stamboll kundër Turqisë, si në Islandë kundër Islandës. Mund të kishim diçka më shumë. jam i kënaqur për atë që ka paraqitur ekipi në fushë, kualitetin e lojës, motivimin, angazhimin, frymën pozitive dhe gjithçka mendoj se ka qenë shumë mirë.
E ka konfirmuar praninë e tij në Tiranë presidenti i UEFA-s?
Po. Do të jetë presidenti i UEFA-s, dy zëvendës presidentë dhe anëtarë të tjerë të Komitetit Ekzekutiv. Do të jenë drejtues federatash. Do të jetë kryeministri i Shqipërisë, Presidenti i Republikës nga bota politke patjetër që do të jenë të ftuar në ceremoninë hapëse, të gjithë ata që kanë luajtur me Kombëtaren shqiptare. Të gjithë anëtarët e FSHF-së, personazhe nga bota e biznesit, medias, artit etj. Jemi të detyruar që të kemi një lloj protokolli. Të ndërtosh një impiant të ëndërruar prej vitesh, është në një farë mënyre e padrejtë që të mos jenë të parët që do ta shijojnë, ata që kanë luajtur për Kombëtaren ndër vite. Besoj që e kanë ëndërruar shumë prej vitesh që të luajnë në një të tillë, por meqë nuk luajtën, të paktën ta shohin.
Sa ka kushtuar stadiumi i ri kombëtar?
Formula e ndërtimit ka qenë e tillë që kontributi i FSHF-së ka qenë fiks: 10 milionë euro, plus TVSH-në të cilën ne kemi pretenduar se nuk duhet ta paguanim. Gjë për të cilën jemi në një konflikt dhe uroj ta marrim mbrapsht për ta investuar në të tjera projekte të rëndësishme. pjesa tjetër e financimit është e kompanisë private. Nuk jam shumë i saktë,por kosto totale është diku te 75 milionë euro.
Kosto relativisht e lartë…
Relativisht normale. Stadiumet maten për nga kosto përmes vendet për spektatorë. Diapazoni është i madh nga 1000 euro për vend, deri në rreth 12 000 euro për vend. Kaq është stadiumi i ri “Uembli” dhe i ri i Totenhemit. Ky është me një kosto mesatare për rreth 3000 euro për vend.
Emri i stadiumit, çfarë do të ndodhë?
Është çështje delikate dhe të gjithë kanë të drejtë që të diskutojnë. Nisur nga fakti që FSHF siguron të ardhura vetë dhe nuk merr asnjë ndihmë nga shteti, do të mbajë edhe një stadium. Federata duhet të sigurojë të ardhura që të menaxhojë edhe stadiumet e tjera. Ka një kosto shumë të lartë mirëmbajtjeje dhe duhen gjetur birime për këtë. Një hall është ta ndërtosh dhe një hall tjetër më i madh është që ta mirëmbash siç është mirëmbajtur i Elbasanit.