Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, bashkë me anëtarë të bordit dhe drejtoreshën ekzekutive, Getoarbë Mulliqin, morën pjesë këtë të mërkurë në protestën e organizuar nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së.
AGK-ja tha se i përkrah fuqishëm kërkesat e punëtorëve të RTK-së dhe i bën thirrje qeverisë që urgjentisht t’i eksplorojë të gjitha mundësitë ligjore për ta alokuar buxhetin që i takon transmetuesit publik.
“Gazetarët, kameramanët, montazhierët dhe të gjithë punëtorët e RTK-së nuk duhet të punojnë nën presion financiar, duke ua mohuar pagat, dhe as nën presion politik, i cili ndodh vazhdimisht nga ana e Qeverisë së Kosovës”.
“AGK-ja e njeh rolin e rëndësishëm të Transmetuesit Publik në skenën mediale të Kosovës për të informuar publikun në kohë reale, në gjuhët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, thuhet në reagim, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, AGK-ja tha se do ta përkrahë çdo formë proteste që Sindikata e Punëtorëve të RTK-së e sheh të arsyeshme për ta adresuar mungesën e buxhetit.