Live

AP: Veteranët e UÇK-së protestuan kundër Gjykatës Speciale të mbështetur nga BE

10:10 / 08 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Agjencia amerikane e lajmeve Associated Press (AP) ka raportuar për protestën e zhvilluar dje në Prishtinë, të organizuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, në kundërshtim të Gjykatës Speciale në Hagë.

Sipas AP-së, veteranët e luftës së Kosovës mbajtën një protestë të enjten kundër Gjykatës Speciale, gjykatë kjo e mbështetur nga Bashkimi Evropian, që ndjek penalisht ish-luftëtarët e tyre që zhvilluan luftën e viteve 1998-99 për pavarësi nga Serbia, duke pretenduar se gjykata është e anshme dhe e padrejtë.

Në raportim thuhet se mijëra njerëz u mblodhën në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, në sheshin kryesor “Skënderbeu”, për të brohoritur në mbështetje të ish-udhëheqësve të arrestuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta u organizua nga OVL-UÇK nën moton:
“Së bashku kundër padrejtësisë. UÇK-ja është lavdi, jo aktakuzë. Sot UÇK, nesër e gjithë historia jonë”.

“Nuk u raportua dhunë”, thekson AP.

Në protestë u panë postera me mbishkrime si “Ata janë heronj”, ku ishin të shënuar emrat e katër udhëheqësve të UÇK-së që po përballen me gjyq në Dhomat e Specializuara të Kosovës, të vendosura në Hagë, e të mbështetura nga BE-ja.

Kreu i OVL-së, Hysni Gucati, në protestë tha:
“Gjykata speciale po deformon historinë tonë, po tregon padrejtësi ndaj atyre që luftuan për lirinë dhe dinjitetin njerëzor.”

AP rikujton se që nga viti 2020, në paraburgim janë katër udhëheqës të lartë të UÇK-së: Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi.

Ata përballen me akuza për vrasje, torturë dhe persekutim të civilëve gjatë dhe pas luftës.

Më tej, AP shkruan se gjykata dhe zyra përkatëse e Prokurorisë u krijuan pas një raporti të vitit 2011 nga Këshilli i Evropës, ku përmendeshin pretendime për trafikim organesh nga luftëtarët e UÇK-së, por këto akuza nuk janë përfshirë në aktakuzat zyrtare.

Deri më tani, dy ish-anëtarë të UÇK-së janë dënuar nga kjo gjykatë, përfshirë Pjetër Shalën.

Po ashtu, Hysni Gucati dhe një zyrtar tjetër i OVL-së janë dënuar në Holandë për frikësim të dëshmitarëve dhe pengim të drejtësisë.

Shpërndaje në

U Kopjua