Live

Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj Basri Lenjanit, i dënuar për mosraportim të pasurisë

14:39 / 15 Mars 2023

Nga Kosova Live

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj ish-drejtorit të Emergjencës në Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Basri Lenjani, i cili nga Gjykata Themelore në Prishtinë ishte dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 500 euro gjobë për veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i dhuratave, i dobisë tjetër material ose i detyrimeve financiare”.

Kundër këtij aktgjykimi, brenda afatit ligjor ankesë kishte paraqitur mbrojtësja e Lenjanit, avokatja Ardita Morina dhe pas shqyrtimit të ankesës dhe sipas detyrës zyrtare, më 14 shkurt 2023, Apeli ka kthyer në rigjykim çështjen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se “Kolegji penal i Gjykatës së Apelit të Kosovës duke u bazuar në nenin 384 par. 1 nënpar. 1.12, lidhur me nenin 370 par. 6 dhe par. 7 të KPP-së e që lidhen edhe me shkelje të ligjit penal, konstatoj se aktgjykimi i ankimuar duhet të anulohet dhe kjo çështje penale duhet që t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe vendim”.

Kjo për faktin se sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka paraqitur arsye për çdo pikë të aktgjykimit dhe nuk ka paraqitur qartë në mënyrë të plotë se cilat fakte dhe për çfarë arsye i konsideron si të vërtetuara apo të pavërtetuara.

Gjithashtu, Apeli ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë, nuk vlerësuar saktësinë e provave kundërthënëse, nuk ka paraqitur arsye të veçanta dhe të bazuara me rastin e vërtetimit të ekzistimit të veprës penale dhe përgjegjësisë penale të të akuzuarit me rastin e zbatimit të dispozitave të caktuara të ligjit penal ndaj të akuzuarit dhe veprës së tij dhe në veçanti nuk ka paraqitur kurrfarë arsyetimi lidhur me dashjen e të akuzuarit për kryerjen e kësaj vepre penale.

“E që në rastin konkret lidhur me dashjen direkte të të akuzuarit gjykata e shkallës së parë sipas vlerësimit të kolegjit penal të kësaj gjykate nuk ka dhënë kurrfarë arsyetimi”, thuhet në vendimin e Apelit.

Tutje, në vendimin e Apelit thuhet se për ekzistimin e kësaj vepre penale duhet që të plotësohen në mënyrë kumulative kushti objektiv dhe subjektiv, e që në rastin konkret gjykata e shkallës së parë vetëm sa i përket kushtit objektiv ka dhënë arsyetim, ndërsa për kushtin subjektiv – dashjen direkte të të akuzuarit, nuk ka dhënë kurrfarë arsyetimi, e që kjo është sipas Apelit është shkelje e karakterit absolut dhe e cila detyrimisht kushtëzon anulimin e këtij aktgjykimi.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë kurrfarë arsyetimi edhe lidhur me deklarimin e të akuzuarit, gjegjësisht mbrojtjen e tij se të gjitha të hyrat shtesë janë deklaruar përmes sistemit bankar e po ashtu edhe lidhur me biznesin e bashkëshortes së tij dhe se për të gjitha këto të hyra ka paguar tatim.

“Dispozita e nenit 370, par. 6, e obligon gjykatën që të paraqes arsye për çdo pikë të aktgjykimit dhe në rastin konkret lidhur me mbrojtjen e të akuzuarit të konstatuar më lartë gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë kurrfarë arsyetimi”, thuhet në vendimin e Apelit.

Në këtë mënyrë, sipas vlerësimit të kolegjit penal të Gjykatës së Apelit, të gjitha këto përbëjnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale e që lidhen edhe me shkelje të ligjit penal, e të cilat aktgjykimin e ankimuar e bëjnë juridikisht të paqëndrueshëm dhe të cilat domosdoshmërisht edhe kanë kushtëzuar anulimin e aktgjykimit në fjalë, ngase këto shkelje nuk kanë mundur që të evitohen me ndryshimin e aktgjykimit të ankimuar nga ana e kolegjit penal të Gjykatës së Apelit.

“Në rigjykim gjykata e shkallës së parë të evitoj shkeljet e lartë cekura dhe pas nxjerrjes së provave të njëjtat të i vlerësoj në mënyrë meritore dhe më pas të nxjerr aktgjykim të drejtë dhe të ligjshëm, posaçërisht gjykata e shkallës së parë lidhur me elementin subjektiv – dashjen direkte të të akuzuarit duhet që të jap arsye bindëse”, thuhet tutje në këtë vendim.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 10 maj 2022 i akuzuari Lenjani ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihej në barrë.

Aktakuza e përpiluar në qershor të vitit 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e ngarkonte Basri Lenjanin se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik nuk e ka deklaruar saktë pasurinë për vitin raportues 1 janar deri më 31 dhjetor 2019, në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).

Aty thuhet se i njëjti nuk e ka deklaruar biznesin e bashkëshortes së tij, Fatime Lenjani, me emrin “OS Oral Dent”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Lenjani po ashtu nuk ka deklaruar edhe të hyrat vjetore në shumën prej 5 mijë e 125 euro e 55 centë, ku 2 mijë e 763 euro e 13 centë i ka pranuar në cilësinë e zyrtarit të lartë publik nga SHSKUK, ndërsa shumën prej 2 mijë e 441 euro e 10 centë i ka pranuar nga Kolegji Privat i Shkencave Mjekësore “Rezonanca” në cilësinë e profesorit të asocuar.

Për këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i dhuratave, i dobisë tjetër material ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...