Ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, i është gëzuar nënshkrimit zyrtar të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, megjithatë thotë se nuk ka parë proaktivitet që do t’i paraprinte këtij veprimi.
Në një prononcim për Telegrafin, ajo thotë se moment i favorshëm për dorëzimin e aplikimit zyrtar është krijuar që nga koha kur filloi lufta në Ukrainë dhe “u krijua muri i qartë ndarës mes Perëndimit demokratik dhe Rusisë gjenocidale”.
“Kosova u rreshtua pa vonesë me Aleancën transatlantike, por nuk e kapitalizoi aq sa duhej momentumin e favorshëm për të avancuar interesat e saj strategjike për njohje të reja, anëtarësim në NATO dhe BE, apo Këshill të Evropës – ku kemi parë se Kosova u mjaftua me dorëzim aplikacioni dhe nuk vazhdoi veprimin diplomatik më pas prandaj nuk arriti as të futet në agjendë”.
“Fatkeqësisht, nuk kemi parë as tani një proaktivitet që do t’i paraprinte këtij aplikimi sot”, deklaron Haradinaj-Stublla, duke shtuar se të gjitha zhvillimet lënë të nënkuptojmë se avancimi i rrugëtimit evropian të Kosovës do të arrihet jo falë punës së saj teknike e diplomatike, por falë koncesioneve e kushtëzimeve përmes dialogut me Serbinë.
Prandaj, ajo thotë se përkundër gëzimit për hapin e parë të anëtarësimit, këtë situatë e sheh me shumë rezervë dhe paqartësi për të ardhmen.
“Diplomacia kosovare duhet të aktivizohet dhe MPJD tani do të duhej të jetë në kulmin e aktivitetit e jo reaktivitetit diplomatik, për të përmbysur narrativën propaganduese e të rrejshme të Serbisë prej niveleve më të larta bilaterale e deri tek organizatat multilaterale. Ndryshe, nëse presim që rruga euroatlantike të avancojë vetëm përmes dialogut me Serbinë, Kosova do të mbetet peng i koncesioneve dhe peng i diplomacisë reaktive ndaj Serbisë”.
Duke kujtuar se shtetet mosnjohëse gjithmonë kanë pranuar bashkëpunimin me Kosovën përmes agjendës evropiane dhe kanë kushtëzuar këtë bashkëpunim me rezultatet në dialog, kjo sipas saj do të duhej të jetë derë mundësie që diplomacia kosovare të jetë proaktive dhe të shfrytëzojë intensitetin e zhvillimeve në dialogun me Serbinë që të shtyjë përpara interesat afatgjata të Republikës së Kosovës.
Kryediplomatja tutje shprehet skeptike që negociatat do të fillojë shpejtë sipas procedurës formale dhe këtu ajo përmend “bllokadën që Kosova e ka me pesë shtetet mosnjohëse, pasivitetin e diplomacisë kosovare me këto shtete, dhe mungesën e kapaciteteve teknike me shuarjen e Ministrisë së Integrimit Evropian”.
“Mesazhi i Republikës së Kosovës përmes aktit të aplikimit për anëtarësim në BE do të duhej të jetë plotësisht në sinkron me shtetet e BE-së (përfshirë shtetet mosnjohëse), dhe SHBA-të – të cilat ka kohë që nuk kanë qenë më të koordinuara rreth Kosovës dhe së ardhmes së saj euroatlantike sesa tash”.
“Akti i dorëzimit zyrtar të aplikimit për shtet kandidat të BE-së nuk nënkupton se negociatat formale për hapjen dhe mbylljen kapitujve fillojnë menjëherë sepse nevojitet pëlqim unanim me votim nga shtetet anëtare në Këshillin e BE-së. Duke e ditur bllokadën që Kosova e ka me pesëshen mosnjohëse, pasivitetin e diplomacisë kosovare me këto shtete, dhe mungesën e kapaciteteve teknike me shuarjen e Ministrisë së Integrimit Evropian, vështirë se do të mund të fillojnë negociatat shpejtë sipas procedurës formale”.
Haradinaj-Stublla shprehet se shumë shpesh proceset politike përshpejtojnë apo ngadalësojnë proceset teknike formale në BE, dhe pikërisht sipas saj, në këtë mundësi po duket se po llogaritë Qeveria e Kosovës – “pra, që të lehtësojë disa procedura teknike burokratike në BE përmes kushtëzimeve ndaj procesit të dialogut”.
E nëse aplikimi shpërfillet nga BE-ja, ajo thotë se kjo nënkupton para së gjithash se Kosova ka bërë aplikimin pa koordinim dhe ‘krye në vete’.
“Mirëpo, një heshtje e mundshme apo një mos-shqyrtim eventual nga Këshilli do të ishte fatal dhe shumë negativ për Kosovën. Një situatë e tillë do të bie ndesh me gjithë nismat e narrativën përkrahëse e inkurajuese që ka pasur kohëve të fundit përmes agjendës së Procesit të Berlinit, dhe veçanërisht përmes përkrahjes së shteteve anëtare veç e veç”.
“Për më shumë, nëse vazhdon mosuniteti evropian karshi Kosovës, BE do të thellojë edhe më tepër krizën e kredibilitetit politik në Ballkan, dhe humbjen edhe të autoritetit politik si lehtësues i dialogut mes Kosovës e Serbisë”.
Pas nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në BE nga tre krerët e shtetit të Kosovës, disa sqarime i ka dhënë edhe njohësi i çështjeve të integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu.
Njohësi i çështjeve të integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu
Ai ka thënë se procesi i integrimit në BE mund të ndahet në dy pjesë: asocimi me BE-në dhe anëtarësimi në BE.
“Asocimi përfshin pjesën e negocimit dhe zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA). Ndërsa, anëtarësimi përfshin marrjen e statusit të vendit kandidat, negociatat e anëtarësimit deri te anëtarësimi formal në BE”, ka shkruar ai në Facebook.
“Procesi i asocimit mes Kosovës dhe BE-së është përmbyllur me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Procesi i anëtarësimi në BE do të filloj me aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe marrjen e statusit të kandidatit. Kjo do të shënoj fillimin e një rrugëtimi të gjatë për tu bërë vend Anëtarë i BE-së”.
Tutje, Kryeziu ka përmendur tre faktorë kyç që siç ka thënë, do të ndikojnë në suksesin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE.
“Vullneti i fortë politik për të bërë reforma të dhimbshme politike; ndërtimi i administratës profesionale të aftë për të mbështetur nivelin politik dhe për të përballur presionin administrativ të procesit të anëtarësimit; diplomaci efektive për të mbështetur procesin integrues të Kosovës”.
Sa i përket aplikimit, ai ka thënë se duhet të qartësohet se në përputhje me Traktatin për Bashkimin Evropian, përkatësisht nenin 49, çdo vend evropian mund të dorëzojë kërkesë për anëtarësim në BE nëse respekton vlerat demokratike të Bashkimit Evropian dhe atë që quhet përkushtim për promovimin e këtyre vlerave.
“Pra, siç e dimë BE-ja vlerëson gatishmërinë e vendeve kandidate sipas tre kritereve të anëtarësimit të përcaktuara nga Këshilli Evropian në Kopenhagen në vitin 1993 që njihen edhe si “kriteret e Kopenhagës”: kriteret politike: institucione të qëndrueshme që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe respektimin dhe mbrojtjen e pakicave; kriteret ekonomike: një ekonomi funksionale e tregut dhe aftësinë për të përballuar konkurrencën dhe forcat e tregut në BE; legjislacioni i BE-së apo acquis: aftësia për të marrë dhe zbatuar në mënyrë efektive detyrimet e anëtarësimit, duke përfshirë respektimin e qëllimeve të bashkimit politik, ekonomik dhe monetar”.
“Procedura si e tillë, është që fillimisht kërkesa i dorëzohet Presidencës së radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe janë dy skenarë. Skenari pozitiv: pas dorëzimit të kërkesës, në Presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, do të shqyrtoj kërkesën dhe do të dërgoj atë tek Komisioni Evropian për ta dhënë opinionin e tij (avis) mbi meritat e aplikimit të vendit aspirues, dhe në fund kërkohet unanimitet nga Këshilli Evropian. Në skenarin negativ, Këshilli nuk e shqyrton fare kërkesën”.
Në fund, Kryeziu ka theksuar se Qeveria duhet të kujdeset që aplikacioni në asnjë skenar të mos përfundojë në atë që Këshilli të mos e shqyrtojë kërkesën.
“Vetëm kjo nuk duhet të ndodhë. Ajo që duhet të potencohet për këtë stad të aplikimit për statusin e vendit kandidat është që procedura kërkon unanimitet. Pra, kërkon pajtueshmëri të të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. E ne mos të harrojmë që janë pesë vende të BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, dhe kjo pak e komplikon situatën. Por, me shpresë që mund të ketë një zgjidhje kreative në këtë drejtim, Kosova do të duhej paraprakisht të negocionte, pra ta maste pulsin me vendet mike të saj: Francën, Gjermaninë, dhe të shihet se cili është disponimi i këtyre dy vendeve si motori i çdo zhvillimi brenda BE-së, dhe vetëm pastaj të dorëzohet dosja për aplikim”.
“Për dallim prej proceseve tjera, rruga formale për ta marrë statusin e vendit kandidat dhe për ta pranuar aplikacionin së pari dhe për t’u votuar më pas, kërkon unanimitet. Dhe vetë kërkesa e tillë siç e parasheh Traktati i BE-së, tregon se duhet të ketë një pajtueshmëri të plotë brenda BE-së, dhe kjo mund të jetë e lidhur edhe me procesin e dialogut sepse duhet të gjendet një modalitet, një kreacion të ri që këto pesë vendet mosnjohëse të pajtohen që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë nënshkruar të mërkurën aplikimin për anëtarësim të Kosovës në BE.
Osmani Osmani në fjalën e saj pas ceremonisë së nënshkrimit, ka thënë se Kosova si një vend i paqes dhe i respektimit të të drejtave të njeriut, e meriton të jetë pjesë e BE-së.
Njëjtë ka deklaruar edhe kryeparlamentari Konjufca, duke shtuar se BE-ja është e plotë vetëm kur të gjitha kombet evropiane do të jenë pjesë e saj.
Ndërsa, kryeministri Kurti teksa ka njoftuar se aplikimi do t’i dorëzohet Presidencës Çeke të BE-së në Pragë, ka thënë se “pengesat dhe sfidat i kalojmë me zhvillim demokratik dhe progres shoqëror”.