Policia në Shqipëri e ka arrestuar një shtetas italian, i cili tentoi të trafikonte një automjet të vjedhur para një muaji.
Në njoftimin e policisë, sipas mediave në Shqipëri, i njëjti ishte kapur në portin e Durrësit, dhe mjeti i është sekuestruar.
“Si rezultat i shtimit të kontrolleve, verifikimeve dhe intervistimeve, në hyrje/dalje të vendit, me objektiva parandalimin e paligjshmërive, shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit vunë në pranga, në hyrje të Shqipërisë, shtetasin italian G. L., 38 vjeç”, thuhet në njoftim.
Policia shtoi se nga verifikimet e kryera rezultoi se automjeti që ky shtetas po tentonte të fuste në Shqipëri, ishte vjedhur në Itali, më datë 25 korrik të këtij vitit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.