Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kanë folur në “Konferencën e Ambasadorëve”, një mbledhje e përvitshme që bashkon ambasadorët e Kosovës nëpër botë. Përderisa Kurti kishte kryesisht këshilla për ambasadorët kosovarë, Gërvalla zgjodhi të lavdërohej, ndonëse Kosova është nën masa ndëshkuese të BE-së e nuk ka asnjë njohje që katër vite. Çfarë thanë Kurti e Gërvalla?
Kryeministri Kurti i këshilloi ambasadorët kosovarë që “rolin e diplomacisë ta shohim jo vetëm si angazhim me qeveritë e vendeve ku shërbejmë, por edhe si ndërveprim me njerëzit”. Tutje, Kurti u kërkoi që të jenë aktivë në rrjetet sociale.
“Jemi në epokën e rrjeteve sociale dhe të komunikimit të menjëhershëm e të pandërprerë, andaj komunikimi është më i rëndësishëm se kurrë. Duhet të jeni gjithnjë e më aktiv dhe përherë të pranishëm. Heshtja mund të keqkuptohet , dhe për më keq i lë hapësirë propagandës edhe dezinformatës. Raportet që ju tregoni janë posaçërisht të vlefshme kur janë të shpejta, të brehta dhe të sakta, pasi e rëndësishme është saktësia dhe fuqia e fjalëve që dërgoni, më parë se gjatësia e dokumenteve” – ka thënë Kurti.
Edhe në takimin me ambasadorët kosovarë, Kurti e përmendi luftën hibride.
“Përballë sulmeve sistematike, hibride, kinetike, terroriste të Serbisë, ajo vazhdimisht përdor propagandën dhe dezinformatën si armë të politikës së saj të jashtme, dhe pikërisht për këtë arsye puna juaj merr vlerë dhe peshë të shtuar. Me mbështetje të hapur nga Rusia, ajo ka ngritur një rrjet narrativash të rreme, që synojnë të dëmtojnë shtetin tonë dhe të pengojnë përparimin tonë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Ju duhet të veproni me vendosmëri dhe qartësi që të jeni të shpejt në reagime. Për secilën gënjeshtër që shpërndan Serbia apo elementet e saj, ne duhet të kemi të gatshme të vërtetën tonë” – ka shtuar Kurti.
Ndërsa Gërvalla zgjodhi një formë tjetër të komunikimit. Në vend të këshillave “praktike” për diplomatët kosovarë, Gërvalla atyre ua renditi sukseset e diplomacisë së Kosovës në vitet e fundit.
Gërvalla u lavdërua ose mori meritat për liberalizimin e vizave, përkundër që kriteret teknike për këtë çështje u përmbushën nga qeveritë paraprake.
“Dëshiroj të nis me një moment që për shumë vite ishte ëndërr për qytetarët. Ky synim ishte simbol i asaj që donim të ishim. Një vend i lirë dhe i lidhur ngushtë me Evropën. Sot kjo ëndërr u bë realitet. Diçka e tillë s’ndodh vetvetiu. Ky sukses është rezultat i përkushtimit të Kosovës për të ndërtuar shtet ligjor dhe për të luftuar korrupsionin. Në vitet e fundit kemi ndërmarrë reforma të thella që kanë rritur transparencën forcuar pavarësinë e institucioneve. Lufta kundër korrupsionit ka sjellë rezultate konkrete duke treguar se askush s’është mbi ligjin. Partnerët tanë evropianë e njohën këtë progres dhe sot qytetarët tanë mund të lëvizin lirshëm” – ka thënë Gërvalla.
Sjellim ndër mend se BE-ja që nga viti i kaluar ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të “hapave të njëanshëm” të Qeverisë Kurti në veri të Kosovës. Po ashtu, Kosova gjatë këtij viti dështoi të anëtarësohej në Këshillin e Evropës, gjë e cila u theksua si një nga dështimet më të mëdha të diplomacisë së Qeverisë Kurti.