Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), përmes inspektorëve veterinarë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë ndaluar shitjen e produkteve të bylmetit (djathë, gjizë, qumësht i freskët dhe nënprodukte të tjera) në hapësira të pa mbrojtura dhe në temperatura të ambientit, gjatë kontrollit në tregun e gjelbër në Ferizaj.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhej se gjithashtu gjatë kontrollit është konstatuar se disa qytetarë po ushtronin aktivitetin e shitjes së shpezëve në mënyrë të kundërligjshme, duke bllokuar hapësirat e destinuara për lëvizjen e këmbësorëve dhe duke rrezikuar shëndetin publik për shkak të mungesës së kushteve higjieno-sanitare, transmeton Klankosova.tv.
“Bazuar në Ligjin Nr. 08/L-120 Për Ushqim, inspektorët kanë ndërmarrë masa për largimin e produkteve të pasigurta nga tregu, si dhe kanë urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të shitjes së tyre në ato kushte. Për shitësit që nuk respektojnë këto rregulla do të konfiskohen e asgjësohen produktet dhe parashihet sanksionim ligjor”.
“Në bazë të Ligjit për Ushqimin, Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit si dhe Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, shitja e produkteve ushqimore dhe shpezëve apo kafshëve në trotuar është e ndaluar. Inspektorët së bashku me zyrtarët policorë kanë ndërmarrë masat e nevojshme, duke i larguar shpezët nga hapësirat publike. Në rastet e përsëritura do të konfiskohen e asgjësohen shpezët dhe do të parashihen sanksionime ligjore”, thuhet në njoftim.
AUV-i shton se do të vazhdojë me kontrolle duke vepruar në çdo rast të shitjes së paligjshme të produkteve ushqimore me origjinë shtazore dhe kafshëve apo shpezëve në hapësira publike do të sanksionohet sipas ligjit.