Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi ka thënë se programi i LDK-së ka zgjidhjen për krizën energjetike.
Në një konferencë për media, Azemi thotë se plani i LDK-së për ndërtimin e termocentralit modern me gaz, ofron zgjidhjen e kësaj krize.
Sakaq shton se ky problem ka rrjedhur si shkak i paaftësisë dhe dështimit të qeverisë në pushtet.
“Janë bërë disa ditë, e kjo gjendje po na përsëritet çdo vit për fat të keq. Po kemi probleme serioze të furnizimit me energji elektrike. Këto reduktime dhe kjo mungesë e energjisë elektrike janë pasoja të paaftësisë dhe dështimit të kësaj qeverie që të ofrojë zgjidhje për furnizim të rregullt me energji elektrike”, tha Azemi.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e di që sa kohë, dhe nga fillimi i ka bërë thirrje qeverisë për marrjen e masave të nevojshme për tu përballur me krizën energjetike, të cilën e kemi paralajmëruar që sa kohë. Qytetarët e Kosovës janë lodhur nga jetesa në errësirë, duke u përballur e duke duruar ndërprerje të vazhdueshme të energjisë, përderisa qeveria mbyll sytë para kësaj krize”.
“Ky problem është lehtë i zgjidhur, me planin konkret të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili ofron zgjidhje të përhershëm për sektorin e energjisë. Kemi përsëritur se mungesa e furnizimit me energji elektrike eliminohet me ndërtimin e termocentralit modern me gaz, projekt që është në planprogramin e LDK-së dhe do të fillojë së zbatuari menjëherë pas ardhjes në pushtet”, shtoi ai.