Policia e Shtetit ka njoftuar për një rast të rrahjes në Malësi të Madhe, ku tre persona, babai me dy djemtë u arrestuan pasi rrahën dhëndrin e tyre.
Sipas njoftimit, incidenti ndodhi për “motive të dobëta”, transmeton Klankosova.tv
“Menjëherë pas njoftimit për një konflikt në familje, në fshatin Flakë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe shkuan menjëherë për të sqaruar rrethanat dhe identifikuar përgjegjësit”.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale: u arrestuan shtetasit Xh. Ç., 64 vjeç, A. Ç., 30 vjeç dhe S. Ç., 33 vjeç, të tre banues në fshatin Koplik i Sipërm, për veprën penale ‘Dhuna në familje’, pasi dyshohet se, për motive të dobëta, kanë dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht shtetasin A. U., 41 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime në kokë dhe trup”.