Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i ka reaguar ministri të Financave, Hekuran Muratit, lidhur me shpenzimet e pushtetit për karburant.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami e ka quajtur Muratin manipulues, duke thënë se “mashtrimve po u vjen fundit me 9 shkurt”, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Hekuran, trego kush po rren. A po rren Zyra Kombëtare e Auditimit? Në Raportin e Auditimit 2023, në faqe 42, shkruan se janë 31 milionë euro shpenzime në karburante. Po thu që Zyra Kombëtare e Auditimit ”drutë për zjarr” i cilëson ”karburante”?! Ministër, i vetmi manipulues këtu jeni ju. Por, mashtrimeve dhe manipulimeve po ju vjen fundi dhe atë shumë shpejtë, me 9 shkurt”, ka shkruar Bajrami.
Ndërkaq, Murati gjatë ditës së sotme ka reaguar pas një deklaratë të dhënë nga deputetja Bajrami, e cila dje ka deklaruar se Qeveria Kurti i ka shpenzuar 31 milionë euro për karburante.
Murati tha se kjo deklaratë është e pavërtetë, pasi sipas tij, shpenzimi i karburantit për automjete për vitin 2023, për nivelin qendror dhe lokal është 10.47 milionë euro.
“Kjo është e faktuar edhe në raportin vjetor financiar të miratuar e dorëzuar në Kuvend. Duhet theksuar se shumica e këtij shpenzimi shkon për flotën e automjeteve të policisë dhe të FSK-së. Raportimet se shpenzimi për karburante të veturave për vitin 2023 është 31 milionë euro është i pavërtetë, dhe i pasaktë. Shpenzimi i karburantit për automjete për vitin 2023, për nivelin qendror dhe atë lokal, është 10.47 milionë euro”, ka reaguar Murati.