BBC raporton se pesë persona janë akuzuar lidhur me vdekjen e këngëtarit të grupit të njohur “One Direction”, Liam Payne, në Buenos Aires, Argjentinë.
Këngëtari 31-vjeçar vdiq më 16 tetor, pasi ra nga ballkoni i katit të tretë të një hoteli.
Ata që janë akuzuar për vdekjen e tij përfshijnë menaxheren e hotelit, Gilda Martin, punonjësin Esteban Grassi si dhe Roger Nores, një person që raportohet të jetë mik i Paynet, të cilët akuzohen për vrasje nga pakujdesia.
Dy persona të tjerë, Braian Paiz dhe Ezequiel Pereyra, të cilët gjithashtu dyshohet se kanë punuar në hotel, akuzohen për furnizim me drogë.
Sipas autoriteteve të Argjentinës, dy nga të akuzuarit janë dërguar në burg, por emrat e tyre nuk janë publikuar ende. Ata do të paraqiten në gjykatë brenda 24 orëve të punës, sipas informacionit të dhënë nga faqja argjentinase Infobae.