“Një ish-president i Kosovës ka dalë në gjyq në Hagë së bashku me tre ish-drejtues të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.”
Raportimi i BBC-së i jep lexuesve një kontekst historik mbi ekzistencën e shtetit të Kosovës, procesit gjyqësor me të cilin po përballet sot dhe individët që janë të përfshirë nën akuzat për krime lufte.
Artikulli i BBC tregon se si Hashim Thaçi u largua nga detyra në nëntor 2020 për t’u përballur me akuzat për krime kundër njerëzimit të dyshuara të kryera gjatë dhe pas luftës së Kosovës me Serbinë, në 1998 dhe 1999.
Ku është Kosova?
“Kosova është në Ballkan, kufizohet me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë. Shumë serbë e konsiderojnë atë vendlindjen e kombit të tyre,”.
Mirëpo, në vazhdim të përshkrimit thuhet që sot nuk është gjendja e njejtë, pasi që sot, më shumë se 90% e 1.8 milionë njerëzve që jetojnë në Kosovë janë shqiptarë etnikë.
Atëkohë, BBC shkruan se Kosova ka qenë një krahinë vetëqeverisëse e Serbisë, e cila vetë ishte pjesë e ish-Jugosllavisë. Megjithatë, në vitin 1989, presidenti serb Sllobodan Millosheviç ia hoqi atë status.
Kjo nxiti një lëvizje në mesin e shqiptarëve etnikë për ta bërë Kosovën një komb plotësisht të pavarur, andaj në vitin 1998 dhe 1999, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) luftoi forcat serbe në një luftë gjithëpërfshirëse.
Njëkohësisht, fuqitë ndërkombëtare u përpoq të vendosnin paqe mes këtyre dy vendeve.
“Delegacioni kosovar nënshkroi një traktat paqeje, por pala serbe refuzoi”, shpjegohen tutje rrethanat e viteve 99.
Mirëpo pas 11 javësh sulmesh ajrore të NATO-s, forcat serbe u larguan nga Kosova në vitin 1999.
Pavarësia e Kosovës në vitin 2008 tregohet se u shpall në mënyrë të njëanshme, përderisa nëntëdhjetë e nëntë nga 193 shtetet anëtare të OKB-së e njohin atë si një vend më vete. Theksohet qartë se Serbia jo.
Çfarë ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës?
I krijuar në fillim të viteve 1990, BBC e prezanton UÇK-në si një grup militant i shqiptarëve etnikë në Kosovë, ku nga viti 1996, anëtarët e saj kryen sulme ndaj stacioneve policore serbe dhe objektivave të tjera.
Artikulli vë në dukje se forcat serbe reaguan vetëm pas sulmeve të UÇK-së. Thuhet se serbët u përgjigjën duke goditur popullsinë etnike shqiptare të Kosovës, duke bastisur fshatrat dhe duke dëbuar njerëzit nga shtëpitë e tyre.
Po ashtu, lexuesit e këtij artikulli kuptojnë në bazë të rrëfimit se gjatë luftës së viteve 1998-1999, dhe menjëherë pas përfundimit të saj, pjesëtarët e UÇK-së pretendohet se kanë shenjës truar serbët etnikë dhe të tjerë, duke përfshirë edhe bashkëkombës shqiptarë që ata i konsideronin si kundërshtarë apo bashkëpunëtorë. Krimet për të cilat ata akuzohen përfshijnë persekutim, burgim, rrëmbim, torturë dhe vrasje.
Sipas aktakuzës së gjykatës, këto krime kanë ndodhur në më shumë se 100 lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, ku civilët serbë dyshohet se janë ndaluar dhe keqtrajtuar apo vrarë.
Megjithatë, është e vështirë të thuhet se ndonjë krim i kryer nga anëtarët e radhës të UÇK-së është urdhëruar nga oficerët e saj të lartë, thotë Tim Judah, korrespondenti i Economist për Ballkanin.
“UÇK-ja doli shumë shpejt dhe komanda e saj ishte shumë e pa fokusuar. Është e vështirë të përcaktohet se cili ishte zinxhiri komandues,” thotë ai.
Kush është Hashim Thaçi?
“Një shqiptar etnik, Hashim Thaçi ishte një nga themeluesit e UÇK-së. Nga lideri gueril ai arriti të bëhej presidenti i Kosovës”, përshkruhet personaliteti i Thaçit.
Në korrik 1997, një gjykatë e drejtuar nga Serbia në Kosovë e dënoi atë në mungesë me 10 vjet burg për “akte kriminale të terrorizmit”.
Megjithatë, sipas z. Judah, “Hashim Thaçi nuk ishte komandant ushtarak. Ai i dha UÇK-së drejtimin e saj politik”.
Më 9 janar 2008, Thaçi u zgjodh kryeministër i Kosovës, ndërsa në vitin 2016 u zgjodh president. Ndërkaq, në vitin 2020, një gjykatë speciale në Holandë e paditi atë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai dha dorëheqjen nga presidenca për t’u përballur me gjyqin dhe që atëherë është mbajtur në Hagë.
Si do të funksionojë gjyqi?
Për formën e veprimit dhe strukturës të Gjykatës Speciale shkruhet se gjyqi po mbahet në një gjykatë të përkohshme të quajtur Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e cila u krijua sipas një marrëveshjeje ndërmjet BE-së dhe Kuvendit të Kosovës. Specialja u krijua në vitin 2015 pasi hetuesit e BE-së mblodhën prova të reja të krimeve të luftës që dyshohet se janë kryer nga komandantët e UÇK-së dhe ngritën padi kundër tyre.
Hashim Thaçi po gjykohet përkrah ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe ish-komandantit të UÇK-së, Rexhep Selimi. Të katër burrat janë deklaruar të pafajshëm.
Në dhjetor të vitit 2022, Dhomat e Specializuara të Kosovës dënuan komandantin e UÇK-së, Salih Mustafa, i cili drejtonte një burg gjatë luftës ku kishte tortura. Ai u dënua me 26 vite burg.
Gjithashtu, BBC përcjell se në vitin 2009, tre ish-anëtarë të UÇK-së u shpallën fajtorë në një gjykatë të Kosovës për torturim të të burgosurve në një kamp dhe u dënuan me nga tre deri në gjashtë vjet.
Sipas Prof Rachel Kerr nga “Kings College London” deklarohet se serbët e kanë parë gjithmonë UÇK-në si një organizatë terroriste. Sidoqoftë, ai thotë se shqiptarët janë të mërzitur për këto gjyqe sepse mendojnë se ishin viktima të agresionit serb dhe mendojnë se kishin të drejtë në anën e tyre.
Në fund, BBC sjell në fokus edhe gjykimet e komandantit të UÇK-së dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në vitet midis 2007 dhe 2012. Një gjykatë tjetër në Hagë – Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë – mbajti dy gjykime për të dhe ai u shpall i pafajshëm të dyja herët.