Burimet e Bashkimit Evropian kanë konfirmuar se si hapa të parë në heqjen graduale të masave ndaj Kosovës ishin asistenca teknike rreth Mjeteve të Reformave dhe Rritjes dhe rifillimi i punës së nënkomisioneve në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Por heqja e masave të tjera ndëshkuese kushtëzohet me hapat që Kosova duhet të marrë për të shtensionuar tensionet në veri të vendit.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian ka rikujtuar se në dhjetor të vitit 2024, Këshilli i BE-së kishte deklaruar se BE-ja do t’i heqë gradualisht masat paralelisht me hapat tjerë të Kosovës për të shtensionuar tensionet në veri.
“Në këtë drejtim, Komisioni ka bërë hapat e parë për heqjen e disa masave. Më konkretisht, kjo ka të bëjë me katër projekte të asistencës teknike për investimet e ardhshme nën Mjetet për Reforma dhe Rritje dhe rifillimin e nënkomisioneve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit,” thotë ky zëdhënës i BE-së.
“Hapat e radhës do të varen nga progresi në terren lidhur me pritjet tona dhe janë të kushtëzuar me shtensionimin e qëndrueshëm në veri,” thuhet më tej në këtë përgjigje, raporton Koha.net.
Bashkimi Evropian nuk ka dashur të japë më shumë hollësi rreth heqjes së masave ndaj Kosovës, të cilat ishin vendosur para më shumë se dy vjetësh.
Masa për të cilën thuhet se është hequr, pra asistenca teknike në kuadër të Mjeteve për Reforma dhe Rritje, ka të bëjë me projekte të cilat janë paraqitur përsëri dhe janë aprovuar në fund të korrikut nga Bordi i Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa sa i përket rifillimit të punës së nënkomisioneve të MSA-së, më 10 korrik në Prishtinë ishin zhvilluar takimet e nënkomisioneve për Tregti, Industri, Dogana dhe Tatime.
Disa diplomatë evropianë thonë se heqja e këtyre masave akoma është vetëm simbolike dhe nuk shohin gatishmëri nga ana e Komisionit Evropian dhe disa vendeve anëtare që të hiqen së shpejti edhe masat tjera. Për këtë, presin të shohin veprime konkrete nga ana e autoriteteve të Kosovës në veri.