Live

BE-ja përsërit se përgjegjësit për sulmin në Banjskë duhet të dënohen: Rikonfirmojmë përkushtimin tonë për drejtësi

11:04 / 24 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në njëvjetorin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ka përsëritur thirrjen për ndjekjen e shpejtë penale të personave përgjegjës, raporton Kosovalive.net.

Në një postim në platformën X, Stano thotë se BE-ja rikonfirmon përkushtimin e saj për drejtësi dhe llogaridhënie.

1 vit pas sulmit në Banjskë, BE përsërit thirrjen për ndjekje të shpejtë penale të atyre që janë përgjegjës dhe rikonfirmon përkushtimin e saj për drejtësi dhe përgjegjësi. Është një kujtesë e nevojës për përpjekje të vazhdueshme për ruajtjen e sigurisë dhe avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkroi ai.

Këtë reagim ai e ka bërë duke shpërndarë postimin e para një viti të shefit të diplomacisë së BE-së, Joseph Borrell, i cili kishte dënuar ashpër sulmin në Banjskë.

Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, ku mbeti një polic i vdekur e dy të tjerë të plagosur”, kishte shkruar Borrell.

Kujtojmë se më 24 shtator, si pasojë e një konfrontimi me armë me një grup terrorist serb në Banjskë të Zveçanit, ka humbur jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe ka mbetur i plagosur zyrtari policor, Alban Rashiti.

Të vrarë kanë mbetur edhe tre nga terroristët serb që morën pjesë në agresionin e dhunshëm, teksa disa të tjerë u arrestuan, por shumica prej mbi 80 sosh ikën nga vendi i ngjarjes.

Kosova ka fajësuar Serbinë se organizoi sulmin terrorist, gjë që u mohua nga Beogradi zyrtar, të cilët thanë se kjo ishte revoltë e serbëve lokalë.

Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, i sanksionuari nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, Milan Radoiçiq, i cili mohoi se ka marrë ndonjë ndihmë nga Beogradi.

Lidhur me sulmin e vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, dy javë më parë ngriti aktakuzë ndaj 45 personave.

Prokurori i rastit, Naim Abazi kishte thënë se ky rast përfshin ngritjen e aktakuzës kundër një grupi të strukturuar kriminal të përbërë nga 45 persona të cilët dyshohen për veprat penale kundër rendit kushtetues juridik, kryerja e veprave terroriste, financim të terrorizmit dhe shpëlarje parash.

“Ndër të akuzuarit kryesor është edhe udhëheqësi kryesor i grupit, Milan Radoiçiq, cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, kishte deklaruar Abazi.

Shpërndaje në

U Kopjua