Drejtoria e Kulturës në Prizren ka vlerësuar se “Libërbusi”, që mbi dy dekada ka funksionuar si bibliotekë lëvizëse për shkollat e Komunës së Prizrenit, nuk ka qenë efikas në vitet e fundit dhe prej ditës së parë të shtatorit ka ndaluar funksionimin e tij. Por, sipas Drejtorisë së Arsimit, vlerësimet e komunitetit shkollor për këtë çështje dallojnë, meqë “Libërbusi” konsiderohet si i dobishëm për nxënësit e shkollat. Pasi është përballur me këto qëndrime, kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, ka bërë të ditur se do të organizojë një takim të përbashkët mes drejtorive për të shqyrtuar më në hollësi vendimmarrjen lidhur me këtë çështje.
“Libërbusi” i cili për më shumë se dy dekada ka funksionuar si bibliotekë lëvizëse për shkollat e Komunës së Prizrenit, prej 1 shtatorit të këtij viti nuk është duke qarkulluar më. Automjeti, me 5 mijë e 500 libra, i cili për 24 lokalitete të ndryshme ka kryer funksionin e bibliotekës, ka mbetur i parkuar prej disa javësh në parkingun prapa objektit të Kuvendit të Komunës, në saje të një vendimi të Drejtorisë së Kulturës.
Çështja e mosfunksionimit të “Libërbusit” që është pjesë e Bibliotekës së Prizrenit, në mbledhjen e fundit të qeverisë komunale, është adresuar nga drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj-Gutaj, e cila ka kërkuar sqarime nga Drejtoria e Kulturës rreth vendimmarrjes në këtë rast.
Zyrtarja e lartë komunale ka pohuar se nga shkollat është informuar për ndalimin e veprimtarisë së bibliotekës lëvizëse që prej fillimit të këtij viti shkollor.
“Kam parë që kanë bërë aktivitete në 24 shkolla të Komunës së Prizrenit. ‘Libërbusi’ ka lëvizur prej bibliotekës së qytetit, ka pasur aktivitete me shkrimtarë, mirëpo unë nuk kam qenë e informuar dhe shkollat me njoftuan që Drejtoria e Kulturës paska nxjerrë një vendim për me ndërpre këtë aktivitet”, ka thënë Veselaj-Gutaj.
Adem Morina, drejtor i Kulturës, ka konfirmuar ndërprerjen e aktivitetit të “Libërbusit”, meqë, sipas tij, shkollat kanë bibliotekat e veta dhe se në vitet e fundit biblioteka lëvizëse nuk është shquar për ndonjë efikasitet, ndërkohë që ka shpenzime të dukshme.
“Secila shkollë e ka bibliotekën e vet, edhe është e panevojshme të shkojë të bëjë regjistrime të nxënësve derisa shkolla ka bibliotekë. Kështu që ata punëtorë përveçse kanë marrë mëditje dhe kanë bërë shpenzime të panevojshme, jemi dakorduar, meqë një vit e gjysmë po e përcjellim dhe nuk ka efikasitet ai ‘Libërbus’, sepse nuk po e kryen funksionin”, ka thënë Morina.
Paraprakisht drejtoresha e Arsimit ka konsideruar se ky dikaster është dashur të njoftohej nga Drejtoria e Kulturës për këtë vendim, pasi, sipas saj, mbi 24 shkolla realizojnë aktivitete me “Libërbusin” dhe bazuar në opinionet e drejtuesve të shkollave ai është i dobishëm sidomos për shkollat në zonat më të thella rurale.
Luljeta Veselaj-Gutaj ka theksuar se jo të gjitha shkollat kanë biblioteka të veta.
“Sa u përket bibliotekave, nuk kanë të gjitha shkollat biblioteka. Mund të kenë një kënd të librave, mirëpo biblioteka është diçka tjetër”, ka thënë Veselaj Gutaj.
Pas mospajtimeve mes dy drejtuesve të dikastereve komunale, kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, ka bërë të ditur se do të organizojë një takim të përbashkët për të shqyrtuar më në hollësi vendimmarrjen lidhur me këtë çështje.
“Libërbusi” ka nisur që t’u ofrojë shërbime lexuesve të Komunës së Prizrenit, sidomos atyre të rinj, prej vitit 2002. Kjo bibliotekë lëvizëse është aktivizuar falë donacionit të Fondacionit për Shoqëri të Hapur, që krahas automjetit ka dhuruar edhe 5 mijë e 500 libra në gjuhë të ndryshme, bashkë me pajisje të tjera përcjellëse. Në të shkuarën, në të ishte mundësuar edhe qasja në informacione përmes internetit. Krahas këtyre shërbimeve, janë organizuar edhe takime letrare, takime me shkrimtarë, vizita të personaliteteve të ndryshme me qëllim edukativ, etj. Së fundmi, kjo bibliotekë lëvizëse ka pasur mbi 500 anëtarë të rregullt.
Në majin e sivjetmë, alarmant do të konsiderohej raporti me leximin nga të dhënat që dolën prej hulumtimit “Niveli i të lexuarit në Kosovë: Sfidat në të kultivuarit e kulturës së leximit”, realizuar prej organizatës ETEA bashkë me librarinë “Dukagjini”. Gati 70 për qind e të anketuarve kishin deklaruar se “s’kanë kohë të lirë” për lexim.
Një numër faktorësh ishin parë si burim i të dhënave që nxjerrin në pah se gjysma e popullsisë në Kosovë nuk kanë kontakt me librin. Hulumtimi shpërfaqte se 52.24 e të anketuarve as deklarativisht nuk arrijnë t’i listojnë tre tituj librash në total dhe kjo ishte parë si e dhënë që duhet të ndikojë në qasjen që kanë institucionet, por edhe shtëpitë botuese në raport me librin dhe leximin. Të dhënat kishin treguar se 16.6 për qind e qytetarëve thonë se nuk lexojnë asnjë libër në vit, derisa 38.3 për qind thonë se lexojnë vetëm 1 deri në 3 libra në vit.
Sipas Raportit, 11.3 për qind mund ta përmendin vetëm një titull libri, kurse 11.37 për qind dinë t’i përmendin dy tituj.
“67.5 për qind e qytetarëve thonë se nuk kanë kohë të lirë për të lexuar dhe insistojnë se do të kishin lexuar më shumë nëse do të kishin më shumë kohë të lirë”, shkruhej në Raport. Prej tyre, 20.7 për qind janë përgjigjur se do të lexonin një libër në kohë të lirë, derisa 45.8 për qind preferojnë të shohin program argëtues, e 33.5 për qind zgjedhin të bëjnë aktivitet sportiv./Kosovalive.net/