Në seancën e së martës, në gjykimin ndaj 12 të akuzuarve në rastin e njohur si “Brezovica I”, mbrojtja e të pandehurve, në vazhdimin e fjalës hyrëse deklaruan se do vërtetohet pafajësia e klientëve të tyre, duke shtuar se kjo aktakuzë mbështetet vetëm në dëshminë e dëshmitarit bashkëpunues.
Listës së të akuzuarve në këtë rast, i prin ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, duke u pasuar nga Dimitrije Reciceviq, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit, Hysni Bajrami dhe Dragomir Milosavljeviq, të dy si inspektorë komunalë të ndërtimit në Drejtorinë e Urbanizmit të Komunës së Shtërpcës, Sasha Milosavleviq si shef i Drejtorisë së Kadastrit në Komunën e Shtërpcës dhe si ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, Arben Çitaku, në cilësinë e ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Bedri Halimi si kryeinspektor në MMPH, Mustafë Hyseni si shef i departamentit për Mbrojtje të Mjedisit dhe Ujërave në MMPH, Hysein Ajdini si investitor, Raif Bajrami, shefi i Inspekcionit në Komunën e Shtërpcës si dhe Sasha Spasiq e Jadran Kostiq.
Seanca e sotme gjyqësore ndaj 12 të akuzuarve të lartcekur, ka vazhduar me fjalën hyrëse ku mbrojtësi i të akuzuarit Raif Bajrami, avokati Halim Shala, tha se në raport me të mbrojturin e tij, organi i akuzës pretendimet e veta i mbështetë vetëm në pozitën të cilën e ka mbajtur i njëjti si shef sektori për planifikim dhe urbanizëm në Komuna e Shtërpcës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa, sa i përket deklaratave të dëshmitarëve në të cilat prokuroria e mbështetë pretendimin e vetë, avokati Shala tha se të njëjtat janë dhënë sa për t’ia bërë hatrin prokurorisë që të përfitojnë prej atij deklarimi sepse sipas tij, të njëjtat nuk kanë fuqi argumentuese.
Në fund, avokati Shala tha se në këtë gjykatë do të vërtetohet se asnjë nga veprimet e të mbrojturit të tij, nuk përbën vepër penale për të cilat prokuroria e shtetit ka ngritur dyshimet.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Hysein Hajdini, avokati Shkelzen Sopjani, tha se i mbrojturi i tij kishte pasur qëllim të kthehet në Kosovë dhe të investon, e që sipas tij, ai kishte bërë një investim të madh.
Sipas avokatit Sopjani, i akuzuari Hajdini, ishte referuar tek Alban Çuka, ku me të njëjtin kishte lidhur kontratë që i mbrojturi i tij në cilësinë e investitorit dhe Alban Çuka me kompaninë e tij, t’i kryen punimet dhe të gjitha procedurat në lidhje me ndërtimin e hotelit.
Ai tha se i mbrojturi i tij, përmes lajmeve mediale ka mësuar që është akuzuar në rastin Brezovica, për dhënie ryshfeti.
Avokati Sopjani shtoi se kanë dëshmi të transfereve dhe pagesave të bëra të cilat përcaktojnë saktë kohën, mirëpo nuk reflektojnë ato me pretendimet e prokurorisë.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Sasha Spasiq, avokati Fanol Krasniqi, në fjalën hyrëse tha se prokuroria mendon që i mbrojturi i tij është fajtor nga deklarimi i dëshmitarit bashkëpunues.
Avokati Krasniqi, shtoi se në këtë gjykim do të vërtetohet se nuk ka vepër penale për të akuzuarin Nikoliq, ngase sipas tij nuk ka elemente të veprës penale as në veprimet e të mbrojturit të tij, e të cilat ato u quan inekzistente.
Sipas avokatit Krasniqi, dëshmitë e dëshmitarit bashkëpunues, nuk e kanë mjetin provues.
“Në këtë gjykim do të vërtetohet se i gjithë ky proces është kriju dhe po vazhdon të procedohet mbi bazën e një dëshmitari bashkëpunues, i cili është paraqitur në çdo mënyrë të përfitoj materialisht dhe atë të paktën 5 milionë euro, të cilët edhe ashtu i ka humbur në punën e pandershme apo 10 milionë euro siç i ka deklaruar dëshmitari Faton Shoshi”, tha avokati Krasniqi.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Jadran Kostiq, avokati Blerim Prestereshi tha se arsyetimi i akuzës paraqet së paku dyfishin e të shkruarit në raport me dispozitivin e akuzës, ku sipas tij, në këtë rast kanë një dispozitiv gjysme faqe dhe një arsyetim me pesë rreshta.
“Në këtë proces gjyqësor gjykata do të vërtetojë se arsyeja pse kemi një mospërputhje në mes të arsyetimit me 5 reshta nga nja dispozitivi gjysmë faqe është fakti se nuk ka prova evidente dhe të prekshme për të cilat do të mund të vërtetonin dispozitivin e akuzës”, tha avokati Prestereshi.
Në fund, ai tha se gjykata gjatë këtij procesi gjyqësor nuk do mund ta vërtetojë as qëllimin as motivin e të mbrojturit të tij për veprën të cilën akuzohet për faktin se një qëllim apo motiv të tillë prokurori i shtetit as që e ka hulumtuar dhe as vërtetuar.
Dhe në fund, fjalën e tij hyrëse e ka dhënë edhe mbrojtësi i të akuzuarit Arben Çitaku, avokati Besnik Berisha, i cili tha se i mbrojturi i tij është mbajtur në paraburgim deri në vendim të Gjykatës së Apelit për një krim që se kreu kurrë.
Sipas avokatit Berisha, se i mbrojturi i tij nuk kreu kurrë krimin do të provohet duke filluar nga vet pretendimi i aktakuzës dhe prokuroria.
“Përkundër hetimeve afatgjata masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, shumë nga to të kundërligjshme e kundër personave që nuk e merituan, si dhe vet pretendimi se Arben Çitaku shkeli një varg ligjesh por asnjë nga to prokuroria nuk arriti ta paraqes me nen të veçantë, me paragraf të veçantë me dëmë apo dëmtim me dobi pasurore për vete apo tjetrin”, tha Berisha.
Seanca e sotme është ndërprerë për të vazhduar në seancën e radhës me dëgjimin e dëshmitarit bashkëpunues, Arben Çuka.
Bratislav Nikoliq, ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, sipas aktit aktakuzes po akuzohet se ka përfituar kundërligjshëm mbi 1 milion euro, vetura luksoze e tri vikend-shtëpiza në Brezovicë. Sipas aktit akuzues të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, akuzohet për katër vepra penale: Keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit dhe për armëmbajtje pa leje.
Sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, Prokuroria e akuzon Nikoliqin se nga viti 2013 deri në dhjetor 2021, në Shtërpcë ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit pasuror, duke mundësuar dhënien e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në Zonën e tretë dhe të dytë.
Aktakuza e Prokurorisë i ngarkon edhe Dimitrije Recicevic, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit, Hysni Bajramin dhe Dragomir Milosavljeviq, të dy si inspektorë komunal të ndërtimit në Drejtorinë e Urbanizmit të Komunës së Shtërpcës, Sasha Milosavleviq si shef i Drejtorisë së Kadastrit në Komunën e Shtërpcës dhe si ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, Arben Çitaku, në cilësinë e ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Bedri Halimi si kryeinspektor në MMPH, Mustafë Hyseni si shef i departamentit për Mbrojtje të Mjedisit dhe Ujërave në MMPH, Hysein Ajdini si investitor, Raif Bajrami, shefi i Inspekcionit në Komunën e Shtërpcës si dhe Sasha Spasiq e Jadran Kostiq.