Britania do ta njohë Palestinën shtet në shtator, nëse Izraeli nuk ndërmerr hapa të rëndësishëm për të ndalur gjendjen e rëndë në Gaza, ka njoftuar kryeministri britanik Keir Starmer të martën, raporton Reuters. Ai theksoi se njohja do të ndodhë para mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Starmer shtoi se Izraeli duhet të ndërpresë luftimet në Gaza dhe të arrijë një armëpushim. Gjithashtu, ai theksoi se Izraeli duhet të sigurojë që nuk do të aneksojë territore në Bregun Perëndimor dhe të angazhohet në një proces serioz paqeje që çon në një zgjidhje me dy shtete.
Kryeministri britanik kërkoi gjithashtu që Hamasi të lirojë të gjitha pengjet, të pranojë një armëpushim, të mos marrë pjesë në qeverisjen e Gazës dhe të çarmatoset plotësisht.
Derisa deri tani qeveritë britanike kanë deklaruar se do ta njohin Palestinën kur të vijë momenti i duhur, kjo është hera e parë që Britania ka vendosur një datë të caktuar për njohjen e shtetit palestinez.